Hoxha tregon si u kapën trafikantët në flagrancë me 400 kg kokainë: Priten arrestime në Shqipëri

Gazetaru Artan Hoxha i ftuar në ABC News ka zbardhur detaje të reja nga kapja e 400 kg kokainë në Kosovë.

Operacioni u krye nga policia e Kosovës, shqiptare dhe italiane, pas sinjalizimit nga DEA amerikane.

“Disa pako të kokainës nuk kanë të njëjtin paketim, që do të thotë se ngarkesa nuk ka qenë për një organizatë të vetme. Grupi i trafikimit shqiptar është. Por në bazë të ambalazhimit mund të kuptosh sa grupe janë. Kjo bëhet që nga nisja, që secili grup të marrë “brand”-in e vet, pasi ka pasur raste që cilësia e kokainës nuk ka qenë e njëjta, kjo që ka ardhur ka qenë e një pastërtie shumë të lartë. Grupet shqiptare e kanë përdorur Brazilin si vend tranziti.

Ka raste që grupet e kanë marrë kokainën në Ekuador ose Bolivi dhe përmes Brazilit, e kanë sjellë në Europë. Rasti i para dy viteve që u kapën nga Bolivia në Brazil me logon “KF Elbasani”. Ngarkesa ishte për në Shqipëri. Për rastin konkret autoritetet e Kosovës dhe tonat dhe kushdo që është përfshirë, ato italiane dhe DEA meritojnë një bravo për atë që kanë bërë, i kanë hequr krimit të organizuar një sasi të majme të ardhurash” tha ai.

Autoritetet e Kosovës thanë sot se vlera e drogës nëse do të dilte në treg do të ishte 20 mln euro, por Artan Hoxha mendon ndryshe. “Me pastërtinë që kishte kokaina shumëzohet me tre se kishte pastërti kristali. Vlera e saj në rrugë shkon në 120 milionë euro”.

Por si vjen kokaina nga Amerika Latine? “Baza e sigurt është ai ambienti ku kokaina pasi është zbarkuar në një port, futet në një magazinë, banesë, bodrum dhe aty nxirret dhe përpunohet, ndahet dhe aty merret sasia e parë e pagesës, grupi që ka bërë transportin e shumicës. Kokaina është blerë nga 1 mijë dollarë deri në 3 mijë dollarë dhe në Europë shkon nga 25-27 mijë euro. Grupi që e merr në port europian dhe e çon te baza e sigurt merr pagesën e parë. Nga aty shkon te dora e dytë, e tretë deri te dora e fundit, që kap shifrën e 120 mln eurove” tha ai.

Por kur erdhi kokaina në Shqipëri? “Kontenieri erdhi në Shqipëri në datë 5 maj, me produkte mishi. Është e njëjta gjë si për bananet. Pasi ka ardhur kontenieri u mbajt nën mbikëqyrje nga policia e shtetit dhe kanë pritur. Në Durrës kishte një dyshim, kompania që bënte transportin është në emër të dy personave (në Kosovë Izet Sheqiri i arrestuar), kompania u krijua 6 muaj më parë. Kompania e ka qendrën në Kavajë dhe filialin në Lipjan.

Në fakt grupi e ka mbajtur në monitorim për të parë nëse autoritetet e kanë zbuluar. Ditën e shtunë erdhi automjeti që çoi trajlerin në Kosovë. Ndërhyrja u la me 48 orë vonesë, pasi autoritetet koordinuan dhe vendosën të ndërhyjnë kur të vinin personat të merrnin produktin dhe të kapeshin me “presh në dorë”. Kur kanë shkuar janë arrestuar 7 persona” tha ai.

Artan Hoxha paralajmëroi arrestime në Shqipëri për dosjen. “Sigurisht që priten arrestime. Mos mendoni se kur vjen një ngarkesë e madhe, bosi do të shkojë te kamioni, ai e ndjek nga larg, pasi në të kundërt do të kapej. Në rastin konkret u goditën personat që shkuan të merrnin produktin”.

Për gazetarin e njohur, kokaina kishte destinacion Gjermaninë. “Kjo sasi ishte e destinuar për Gjermaninë, që është një treg i madh. Grupet shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës që merren me trafik kanë një pikë të përbashkët, territorin e Gjermanisë. Ne kemi kapur sot transportuesit, jo financuesit, jemi si në rastin e Arbër Çekajt. Të hetosh këto organizata kërkon një qasje tjetër, jo muskuj, por mend. Duhet të mundohesh të jesh një hap përpara krimit të organizuar” tha ai./

Shtuar 17.05.2021 11:05