Kryepolici Gledis Nano ka nënshkruar një marrëveshje me një biznes privat, në interes të punonjësve të Policisë së Shtetit për të bërë vizita okulistike falas. Mësohet se biznesi në Tiranë, ka ofruar çmim të reduktuar për syzet optike.
Komentet Nano i bëri gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, ku ka theksuar se, që në momentin e marrjes së detyrës, krahas përmbushjes së saj, ai është përpjekur për t’u krijuar kushte sa më të favorshme pune punonjësve të Policisë së Shtetit.
Lajmin e bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
Njoftimi i plotë:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano nënshkruan një tjetër marrëveshje me sektorin privat, në interes të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në vijim të interesimit nga Drejtori i Përgjithshëm, për krijimin e lehtësirave për punonjësit e Policisë së Shtetit, administratori i optikës “Luani” ka ofruar ekzaminime okulistike pa pagesë për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe familjarët e Dëshmorëve të Policisë, si dhe çmim të reduktuar për syzet optike.
Përfaqësuesi i optikës “Luani”, z. Sefa, krahas marrëveshjes, i dorëzoi Drejtor Nanos edhe donacionin “350 palë syze dielli cilësore”, për Policinë Rrugore të Tiranës dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, Gedis Nano ka theksuar se që në momentin e marrjes së detyrës, krahas përmbushjes së saj, ai është përpjekur për t’u krijuar kushte sa më të favorshme pune punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe për t’u ardhur në ndihmë nëpërmjet biznesve të ndershme, duke u krijuar lehtësira në tarifat e shërbimeve për shëndetin e tyre.
Nano ka falënderuar z. Sefa, për mbështetjen e dhënë nga rrjeti optik “Luani”, gjest që tregon vlerësim, besim dhe partneritet me Policinë, e cila është në shërbim të qytetarëve, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt për komunitetin dhe biznesin e ndershëm që operon në vendin tonë. Nano ka theksuar se kjo marrëveshje nuk është e fundit, pasi priten të tjera marrëveshje me biznese, për shërbime të ndryshme që lehtësojë dhe përmirësojë kushtet e punës, ekonominë dhe shëndetin e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Drejtori i marketingut z. Edmond Zeneli, gjatë fjalës, në emër të rrjetit optik “Luani”, ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vizionin dhe krijimin e një marrëdhënieje të re dhe transparente ndërmjet biznesit dhe Policisë. Ai ka theksuar se kjo marrëveshje dhe ky donacion është shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët sakrifikojnë çdo ditë për të mbrojtur rendin e sigurinë dhe për të krijuar një ambient social sa më të sigurt, që edhe biznesi të zhvillojë i qetë aktivitetin e tij.
Më pas, Drejtor Nano dhe administratori i optikës “Luani”, z. Sefa kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila parashikon që përveç vizitave falas, punonjësit e Policisë së Shtetit përfitojnë 30% ulje në rast se blejnë syze optike apo syze dielli, ndërsa familjarët e Dëshmorëve të Policisë përfitojnë 50% ulje për këto blerje.
Këto shërbime optika “Luani” i ofron në 15 pika, të shtrira në qytete kryesore të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Fier, Berat etj./albeu.com/