Gazetari takon për herë të parë Agustin Kolën, çfarë i tha kampioni

Gazetari Endri Xhafo mesa duket është tifoz me Tiranën. Këtë të paktën e lë ai vetë të kuptohet në një postim në rrjetet sociale.

Pas mbrëmjes gala të FSHF-së, ku u nderuan më të mirët e futbollit për vitin 2022, Xhafo, si frankofon që është, ka pasur mundësi të fliste me të ftuarin special të mbrëmjes Christian Karembeu, lojtar i Kombëtares franceze, Realit të Madridit, Sampdorias, Olimpiakosit, etj.

Mirëpo dikush tjetër i tërhoqi vëmendjen. Ai ishte i madhi Agustin Kola, lojtar legjendar i Tiranës së viteve ’80, asokohe “17 Nëntori”.

Xhafo i është prezantuar Kolës si i panjohur për të, thjesht si dikush që emocionohej kur e shihte lojtarin në rrugët e kryeqytetit në vitet ’80.

Por Kola jo vetëm e njihte Xhafon, por mesa duket edhe e vlerëson, sepse, siç raporton vetë gazetari, në fund i ka thënë “mos ndrysho”.

Kujtojmë që Xhafo vetëm pak kohë më parë tregoi në një intervistë për Adi Krastën, se si u mbyll sot për nesër emisioni i tij LOG. në ABC, pas ndryshimit të pronësisë dhe, mesa duket, edhe të linjës editoriale.

Vetë Xhafo kujton se “17 Nëntori” i famshëm i Agustin Kolës konsiderohej në ato vite si ekipi i disidencës anti-komuniste.

Ja postimi i plotë i gazetarit.

Foto me një kampion

Holli i Teatrit të Operas dhe Baletit, pas galasë së FSHF-së. Më thotë @enditufa:
– Po ikën Christian Karembeu, do të shkojmë t’i flasësh frëngjisht, se i bëhet qejfi?
Ndërkohë mes turmës, pamje alla Rocky Balboa, Agustin Kola. Kaq vjet gazetar unë, unë që njoh dreqin e të birin, Agustinin s’më kishte qëlluar kurrë ta shihja nga afër.
– Do t’i flas Augustinit, i them Tufës.
– Iku Karembeu.
– On s’en fout!
E kap Augustinin nga krahu dhe para se të dilte nga dera, i them:
– Agustin, më fal për shqetësimin. Mua më quajnë Endri, ti nuk më njeh, por të njoh unë ty. Desha vetëm të të them se kur kam qenë i vogël më emocionoje shumë. Ti ke pasur një palë pantallona doku bojëqielli dhe kur ecje rrugëve të Tiranës, të gjithë çunat e moshës sime kthenin kokën dhe pëshpërisnin “Kola, Kola”. Kaq vite s’kam pasur rast të ta them, kampion.
Më dëgjoi deri në fund me qetësi dhe më tha:
– Endro, unë të njoh. Ti Endro… etj.etj.
Dhe në fund shtoi:
– Mos ndrysho!
– Jo kampion.

Duhet të kesh qenë një djalë 12-13 vjeç në Tiranën e fundit të viteve ’80, tifoz me “17 Nëntorin” për shkak të familjes, për të kuptuar emocionet e mia. Thotë diku Kadare: “17 Nëntori ishte ekipi i disidencës anti-komuniste”. E pra, Agustin Kola ishte një prej kampionëve të saj!

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Endri Xhafo (@endrixhafo)


Shtuar 28.01.2023 10:13