Pal Kola është 60-vjeçari që mbeti viktimë e plumbave që u qëlluan ndaj godinës së Top Channel rreth orës 01:00 pas mesnatës sot.
I ndjeri punonte si roje sigurie në Top Channel. Kola ka qenë në kabinën e tij duke u ngohur në momentin kur ka ndodhur sulmi me breshëri kallashnikovi.
Nga 27 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje, njëri ka kapur rojën, i cili gjatë transportimit në spitalin e Traumës, ka humbur jetën.
Pal Kola la pas tre fëmijë. Për 24 ditë ai do të mbushte 61 vjeç. Kola ishte baba i dy vajzave dhe një djali, ky i fundit punon në Itali.
Ndërkohë, njëra nga vajzat është e divorcuar dhe ka një djalë dhe tashmë jeton te familja e vet.
Kola njihej si njeri i qetë dhe nuk kishte konflikte, teksa ishte me origjinë nga Puka dhe prej 25 vjetësh jetonte në Sharrë.
60-vjeçari banonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte aspak të mira. Për të shkuar në punë ai duhej të bënte çdo ditë kilometra në këmbë, pasi shtëpinë e kishte larg nga rruga kryesore. Madje edhe ditët e festave i shpenzonte në punë.
Sipas zyrtarëve policorë, tashmë janë krijuar disa pika kontrolli për kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Disa orë më vonë është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve të aktit.
Brenda saj janë gjetur dy armë automatike.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka thënë në Facebook se “Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët”.
Sulmi ndaj ndërtesës së Top Channel-it, është dënuar edhe nga presidenti i shtetit, Bajram Begaj, kryeministri, Edi Rama, kryeparlamentarja, Lindita Nikolla, krerët e partive opozitare, Enkelejd Alibeaj dhe Ilir Meta.
/albeu.com/