Ferma e kanabisit në Berat, të arrestuarit: U detyruam për shkak të gjendjes së vështirë ekomomike

Personat e arrestuar në fermën ku kultivohej kanabis në Berat deklaruan në sallën e gjyqit se kishin shkuar të punonin për të siguruar të ardhura, për shkak të kushteve të vështira ekonomike ku jetojnë. Gjykata e Shkallës së Parë Berat vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 11 personat e arrestuar si organizatorët dhe mbikëqyrës së serës së mbjellë me hashash në fshatin Drenovicë në bashkinë Dimal.

Në seancë kanë folur vetëm 2 prej burrave të arrestuar, ndërkohë që për të arrestuarit e tjerë kanë folur vetëm avokatët përfaqësues të tyre: Flutura Eski, Agron Isufi, Plarent Lapardhaja dhe Qazim Kozhaj.

Dy burrat deklaruan se kishin ardhur për të punuar pasi merrnin 50 mijë lekë (të vjetra) në ditë dhe se ishin të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetojnë. Prokurorja Albiona Papajani ka kërkuar vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të 11 shtetasve dhe caktimin për ta të masës së sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi, pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe pretendimet a avokatëve e ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e 11 shtetasve të sipërpërmendur dhe ka caktuar për të gjithë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Jurgen Ujkaj, Bashkim Mema, Sidrit Bisha, Endrit Xheka, Edison Mema, Mirvaldo Disha, Hamdi Dyli (pronari që kishte lënë me qira serat), Blerim Xheka, Samuel Lushaj, Drita Mema dhe Izmira Mema janë të gjithë personat e ndaluar që u sollën sot në seancë, nën masa të rrepta sigurie.