Monedha europiane e ka vijuar dobësimin ndaj Lekut gjatë kësaj jave, duke prekur një tjetër rekord negativ. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 91.4 lekë, vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.
Në krahasim me nisjen e vitit kalendarik, kursi Euro-Lek është ulur me 5.5%, ndërsa rënia vjetore ka arritur në 5.7%. Ky zhvlerësim i vazhdueshëm, i nisur që prej tremujorit të parë të këtij viti, ka përshpejtuar ritmet e rënies së monedhës europiane.
Të lidhura
None found
Agjentët e tregut vlerësojnë se presioni në rënie mund të vijojë, i ndikuar nga flukset e konsiderueshme hyrëse të valutës gjatë sezonit veror dhe nga kërkesa e dobët për Euro.
Dobësimi i Euros duket se ka ndikuar edhe në përdorimin e saj për transaksionet e shitblerjes së aseteve në tregun vendas, përfshirë pasuritë e paluajtshme. Në të njëjtën kohë, depozitat në Euro po zgjerohen me ritme më të ngadalta, çka sinjalizon një prirje në rritje të publikut për t’i ruajtur kursimet në monedhën vendase.
Këto zhvillime priren të shtojnë presionin rënës mbi kursin e Euros, një tendencë që në përgjithësi është shfaqur prej më shumë se një dekade. Ajo lidhet me përmirësimin strukturor të pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare.
Ky përmirësim afatgjatë është mbështetur nga rritja e të ardhurave prej turizmit, zgjerimi i eksporteve të shërbimeve dhe shtimi i investimeve të huaja direkte, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Në këtë ecuri perceptohet se ndikojnë pjesërisht edhe prurjet valutore informale.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se Bilanci i Pagesave është përmirësuar ndjeshëm edhe gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 361 milionë euro, ose 40.6% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo është vlera më e ulët e deficitit të llogarisë korrente për një 6-mujor që prej vitit 2018. Kontributin kryesor në reduktimin e tij e dhanë eksportet e shërbimeve dhe remitancat. Bilanci i tregtisë së shërbimeve rezultoi pozitiv me rreth 1.79 miliardë euro, duke u rritur me 12.9% kundrejt gjysmës së parë të vitit të kaluar.
Turizmi përbënte më shumë se gjysmën e kontributit të sektorit të shërbimeve. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit, ai gjeneroi për ekonominë të ardhura neto prej 957 milionë eurosh, 20% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në përmirësimin e bilancit të përgjithshëm ndikoi gjithashtu rritja e ndjeshme e investimeve të huaja direkte. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë 2026 ato arritën në 741 milionë euro, me një rritje prej 86% krahasuar me tremujorin përkatës të një viti më parë.
Kjo rritje u nxit ndjeshëm nga flukset që lidhen me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në fushën e pasurive të paluajtshme. Në total, gjatë 6-mujorit të parë, investimet e huaja direkte arritën në 1.144 miliardë euro, duke u rritur me 50% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një tjetër faktor që po ndikon në treg është suficiti i lartë fiskal, i cili po pakëson ofertën e Lekut.
Në 8-mujorin 2026, buxheti regjistroi suficit prej 61.6 miliardë lekësh, vlerë kjo 52% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
