Escobar: Çështja e dinarit duhet të zgjidhet përmes dialogut. Reagon edhe ambasadori Hill: SHBA e ka bërë të qartë…

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi duhet të zgjidhet në tryezën e dialogut në Bruksel.

Escobar tha se ky vendim i ri duhet t’i komunikohet qytetarëve që preken nga ky vendim për një kohë të bollshme dhe tha se SHBA është e gatshme t’i ndihmojë të dyja vendet.

“Besoj që ishim shumë të qartë në këtë. Duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe gjithashtu duhet të komunikohet me kohë të mjaftueshme dhe lajmërime të mjaftueshme te popullata e prekur. Dhe ne qëndrojmë gati që të ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin këtë çështje, por të dy [vendet] duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese”, tha Escobar.

Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha se qeveria amerikane ishte shumë e qartë për shqetësimet e saj rreth vendimit për ndalimin e dinarit në Kosovë.

Hill tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje se çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë, por se duhet të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim pjesën tjetër”, tha Hill.

I pyetur nëse dialogu është në errësirë ​​pas lëvizjeve të fundit rreth vendimit të BQK-së, ambasadori Hill thotë se nuk dëshiron ta karakterizojë dialogun dhe se këtë ia lë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe dinarin, duhet të zgjidhen me dialog./albeu.com


Shtuar 13.02.2024 11:38