Efektivët e Policisë tregojnë peripecitë me uniformat 2800 euroshe: S’i lajmë dot në lavatriçe se u del boja, veshim dy palë çorape

1polica-850x450“Plas në verë, ngrin në dimër! S’i fut dot në lavatriçe se u del boja!”.

Gazeta “Si” komunikoi me efektivë të policisë për t’i pyetur ata në lidhje me cilësinë e uniformave që mbajnë veshur, e që janë blerë falë tenderit 25 mln eurosh për të cilin SPAK ka arrestuar disa zyrtarë e ish-zyrtarë në Ministrinë e Brendshme me akuzat e korrupsionit.

Në kushte anonimati, dy efektivë të policisë thonë për Gazetasi.al se cilësia e uniformave që kanë veshur ndër vite dhe veshin ende lë shumë për të dëshiruar dhe që jo vetëm nuk justifikon çmimin sipas të cilit thuhet se janë blerë sipas tenderit në fjalë, por as një çmim normal të veshjeve.

“Besoj që janë material në masë të madhe sintetike”, thotë efektivi A.B., që karrierën në radhët e policisë e ka nisur që në vitin 2007.

“Atë vit përfundova studimet 1-vjeçare te Akademia e Policisë. E nisa si praktikant te Policia Rrugore duke nga korriku me sa mbaj mend. Veshja? E tmerrshme! Bluzat dhe kapelet ishin si magnet për diellin. Përcëlloheshim në rrugë”, vijon ai.

A.B. (iniciale të vendosura nga Gazeta Si) ka ngjitur shkallët e karrierës dhe sot është në një detyrë brenda radhëve të policisë, por pa uniformë.

“Bëj gati katër vite që e kam hequr uniformën. Nuk mund të flas shumë për këto të rejat se nuk e di. Nuk i kam provuar në kurrizin tim, por me sa kam dëgjuar nga kolegët nuk është se kanë ndonjë ndryshim me uniformat e mëparshme”, shton A.

Ndryshimi i vetëm është të dezajni dhe ngjyrat. Por a e justifikojnë çmimin rreth tre herë më të lartë se uniforma e blerë para këtij tenderi? Për B. punonjës policie që ndryshe nga A. është ende nën uniformë.

“As që i afrohet. Nuk i fut dot në lavatriçe se u del boja menjëherë. Janë material sintetik dhe një bluzë me mëngë të shkurtra mezi e mbyll një verë se pastaj i sheh të zbehta, të dala boje. Ke plot policë në rrugë e patrulla që janë me uniformat e zbehta”, tregon B.

“E sheh uniformat blu të patrullave të përgjithshme që janë bërë si të kaltra, apo uniformat e Shqiponjave, që nga të kuqe bëhen të kuqe të shpëlara”, vijon ai.

B. thotë se ka porositur gruan që uniformën ta lajë gjithmonë me dorë dhe me ujë të ftohtë ose të vakët.

“Po ka kolegë të mi që janë beqarë plot dhe për t’i rënë shkurt i fusin në lavatriçe e kur i nxjerrin prej andej uniformat janë të shpëlara”.

Problem janë edhe këpucët.

“Janë të lehta, por pak të rehatshme. Unë personalisht i vesh me dy palë çorape në dimër se me ngrijnë këmbët në ditët e ftohta”, tregon B.

Këto janë problematikat kryesore të uniformave, që sipas akuzës së SPAK janë blerë 2800 euro pala, ndërsa me raste identifikohet edhe mungesa e uniformave rezervë.

SPAK arrestoi 8 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme lidhur me abuzimin dhe parregullsitë që ata kanë bënë për tenderin e uniformave të policisë të hedhur në verën e 2020-s për katër vitet e ardhshme.

Gjatë hetimit, sipas SPAK, janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit në atë kohë në Ministrinë e Brendshme si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj./GazetaSi


Shtuar 12.07.2021 12:56