“E vrau me thikën e bukës”, italiani e ngacmonte duke e prekur me duar, shqiptarja i bën “gjëmën”

Një shqiptare në itali ka sulmuar për vdekje me thikë një 67-vjeçar italian.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas ngacmimeve të shpeshta seksuale të këtij të fundit kundrejt shqiptares.

Ajo është arrestuar nga karabinierët me akuzën e vrasjes me dashje, pas marrjes në pyetje për një kohë të gjatë.

Mide Andreu, 51 vjeç, e martuar e me fëmijë, prej tre vitesh bënte punët e shtëpisë një herë në javë në shtëpinë e Antonio Amicuccit. Dje, sipas deklaratës para karabinierëve, 68-vjeçari e preku me duar dhe nuk ishte hera e parë që e bënte.

Që aty pati zanafillën sherri, gjatë të cilit 51-vjeçarja rrëmbeu një thikë kuzhine dhe e goditi disa herë në gjoks Amicuccin. Më pas, me lot në sy, vrapoi te fqinja duke i treguar që e kishte goditur me thikë e duke i kërkuar të thërriste ndihmën. Edhe pensionisti, ende i vetëdijshëm, telefonoi urgjencën.

Megjithatë, mbërritja e ndihmës dhe e karabinierëve ishte e kotë, pasi Amicucci ndërroi jetë.

Ai banonte në një apartament në katin e dytë bashkë me qenin e tij. Me origjinë nga Ortona, Abruzzo, ai ishte vendosur në Novara në vitet ’70 bashkë me gruan, me të cilën u nda në vitet 2000.

Që atëherë, Amicucci kishte koleksionuar një seri denoncimesh për ngacmim e përndjekje nga ish-gruaja dhe e bija, çka i solli edhe një periudhë burgosjeje. I kthyer për pak kohë në Ortona, edhe aty u arrestua për lëndim dhe kërcënime. Prej pak vitesh jetonte në Novara dhe rrallë dilte, për shkak të problemeve me shëndetin.

Pavarësisht historisë së viktimës, karabinierët dhe gjyqtari që morën në pyetje shqiptaren vendosën arrestin me burg. Sipas prokurorit, gruaja kishte reaguar në mënyrë impulsive, duke e goditur shumë herë me thikë.

Disa nga plagët ishin të lehta, të tjera kishin prekur organe jetësore, ndërkohë që autopsia do të përcaktojë se cila ishte goditja fatale./albeu.com/