E diela e zezë në Kosovë: Motra vret motrën, përplas për vdekje dy të mitur dhe një 66 vjeçar

Tre ngjarje të rënda kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Kosovë, ku fatkeqsisht kanë humbur jetën dhe 4 persona.

Fillimisht dje u raportua për një vdekje të dyshimtë në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës, ku policia kishte gjetur pa shenja jete një femër të moshës 33 vjeçare. Pas hetimeve, Prokuroria Themelore e Prishtinës, njoftoi se kishte të bënte me një vrasje brenda familjes, ku motra kishte vrarë motrën.

“Sipas dyshimeve fillestare nga kjo ngjarje dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila me urdhër të prokurores kujdestare është dërguar në mbajtje dhe ndaj të njëjtës do të ndërmerren masat e nevojshme brenda afateve ligjore. Ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, njoftoi Prokuroria.

Rasti tjetër i rëndë që u raportua pasdite ishte vdekja e një 66 vjeçari si pasojë e një aksidenti të ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në fshatin Kçiq.

“Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në orën 13:20, të datës 9 maj 2021, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë segmenti rrugor “fsh Kçiq, ku të përfshira ishin dy vetura civile, ku si pasojë e aksidentit dhe lëndimeve të pësuara më pas në QKUK ka vdekur viktima, Sh. N.,66 vjeçar”, njoftoi policia.

Gjithashtu në fshatin Carralevë të Shtimes, ku si pasojë e goditjes nga një mjet, humbën jetën dy fëmijë të moshës 8 vjeç.

Policia njofton se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën Shtime – Prizren dhe me të arritur në fshatin Carralevë, për shkak të mospërshtatjes të shpejtësisë së lëvizjes dhe kushteve të rrugës, kthesë, drejtuesi humbë kontrollin mbi automjet dhe kalon në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe i godet dy këmbësoret në trotuar.

Si pasojë e lëndimeve të rënda trupore të dy fëmijët kanë ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë.


Shtuar 10.05.2021 09:44