Dorian Teliti prezanton programin e PD për fuqizimin e gruas: Heqim taksat për gratë sipërmarrëse, bonuse për lindjet

Në një postim në rrjete sociale, koordinatori për Programin Ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka prezantuar një seri masash të reja që synojnë fuqizimin e gruas, duke e vendosur atë në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Teliti theksoi se Partia Demokratike, me Sali Berishën në krye, angazhohet për të krijuar më shumë mundësi për gratë dhe familjet shqiptare.

Një prej masave kryesore të programit, është heqja e tatimit mbi fitimin për vitin e parë për gratë që hapin një biznes, një hap që synon të stimulojë sipërmarrjen femërore.

Gjithashtu, programi parashikon subvencionimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për gratë sipërmarrëse dhe stafin e tyre, me kushtin që të paktën 50% e stafit të jenë gra ose të rinj nën 30-vjeç.

Përveç kësaj, është parashikuar një investim në edukimin dhe trajnimin e grave sipërmarrëse dhe artizane, për t’u dhënë mundësi të mëdha për sukses.

Për nënat dhe familjet, programi ofron përjashtim të përjetshëm nga tatimi mbi të ardhurat për gratë që kanë tre fëmijë ose më shumë, si dhe për bashkëshortët e atyre që kanë katër fëmijë ose më shumë.

Po ashtu, programi ofron një leje lindjeje me përfitim financiar të plotë për 365 ditë. Ndërsa për çdo fëmijë të lindur, parashikohet një bonus financuar nga shteti, i cili varion nga 1,000 euro për fëmijën e parë deri në 5,000 euro për fëmijën e katërt dhe më shumë.

Buxheti i shtetit do të mbulojë edhe kostot për fëmijën e tretë dhe më shumë deri në moshën 23 vjeçare.

Teliti e përmbylli postimin e tij, duke theksuar se fuqizimi i gruas është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e familjes dhe për zhvillimin e gjithë vendit.

Ai e cilësoi këtë program si një mundësi për një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të barabartë për gratë.

Postimi i Dorian Teliti:

FUQIZIMI I GRUAS PRIORITET ME BERISHËN KRYEMINISTËR DHE PD NË QEVERISJE!

Fuqizimi i gruas, themeli i një shoqërie të fortë!

Sali Berisha dhe Partia Demokratike angazhohen për më shumë mundësi për gratë dhe familjet shqiptare, duke i vendosur ato në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social.

Në programin tonë për gratë sipërmarrëse:

Heqje e tatim-fitimit për vitin e parë për gratë që hapin një biznes.

Subvencionim i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 6 muajt e parë për gratë sipërmarrëse dhe stafin e tyre, me kusht që minimumi 50% e stafit të jenë gra apo të rinj nën 30 vjeç.

Edukim, trajnime dhe promovim për gratë sipërmarrëse dhe artizane, duke krijuar më shumë hapësira për suksesin e tyre.

Mbështetje për nënat dhe familjet:

Përjashtim të përjetshëm nga tatimi mbi të ardhurat për çdo nënë me 3 fëmijë ose më shumë dhe për bashkëshortin nëse familja ka 4 fëmijë ose më shumë.

Leje lindjeje me përfitim financiar të plotë të garantuar për 365 ditë.

Bonusi i lindjes:

1,000€ për fëmijën e parë.

2,000€ për fëmijën e dytë.

3,000€ për fëmijën e tretë.

5,000€ për fëmijën e katërt e më shumë fëmijë

Buxheti i shtetit do përballojë deri në moshën 23 vjecare kostot e fëmijës së tretë apo më shumë.

Fuqizimi i gruas është fuqizimi i familjes dhe i gjithë vendit! Më shumë mbështetje për gratë, më shumë mundësi për një Shqipëri që përparon!

#FuqizimiIGruas #MëShumëMundësi #FamiljaNëQendër #PD


Shtuar 9.03.2025 10:15