Familja Mekolli e cila sot humbi djalin, Enean, kërkon që ai të prehet në varrezat e vendlindjes. Si efektiv i Policisë së Shtetit, 34 vjeçari sot ra në krye të detyrës teksa bashkë me kolegët përpiqeshin të arrestonin një kriminel të kërkuar.
Enea Mekolli ka rënë në krye të detyrës dhe sipas ligjit, ai merr automatikisht statusin “Dëshmor i Atdheut” dhe duhet të prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, por familja e kundërshton këtë fakt.
Të lidhura
None found
Ata kërkojnë që trupi i Eneas të prehet përjetë pranë vëllait të tij, i cili ka qenë gjithashtu efektiv i Policisë së Shtetit, por është ndarë parakohe nga jeta për shkak të leuçemisë.
Ka qenë pikërisht dëshira dhe amaneti i vëllait që Enea Mekolli të vishej me uniformë dhe 34 vjeçari ashtu kishte bërë. Pasi ndoqi të gjitha fazat, u bë pjesë e Policisë së Shtetit dhe ngjiti një nga një shkallët e karrierës, 34 vjeçari ishte zgjedhur efektiv i “Shqiponjave”.
Sot, në orët e para të mëngjesit ai ra viktimë e dorës së krimit dhe pritet që Ministria e Brendshme të marrë të gjitha masat për t’i dhënë statusin e dëshmorit, ndërsa me ceremoninë e varrimit nuk dihet si do të veprohet.
