Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se po punohet intensivisht që do të ofrohet shërbim i integruar socio-shëndetësor për të moshuarit.
Komentet Manastoriliu i bëri teksa përkujtoi ditën Botërore të të Moshuarve.
Ajo shtoi se sfida e madhe është ofrimi i shërbimeve me standarde.
“Ne jemi të angazhuar që në 50 qendrat shëndetësore të mundet të kemi praninë e një psikologu apo punonjësi social për t’i ardhur në ndihmë të moshuarve për të identifikuar problemet, shqetësimet, hallet që ata kanë në mënyrë që edhe kujdesi shëndetësor të jetë sipas karakteristikave të qytetarit, të të moshuarve në rastin konkret. Nëse ka nevojë për shërbim në banesë të kemi mundësi që të ofrojmë shërbimin e kujdesit shëndetësor në banesë. Nëse ka nevojë për mbështetje nëpërmjet shërbimit të psikologut apo punonjësit social të kemi mundësi që ta ofrojmë këtë. Dhe kjo bëhet e mundur nëpërmjet shërbimeve të integruara”, bëri me dije Manastirliu.
Duke u shprehur se sfida e madhe është ofrimi i shërbimeve me standarde, Manastirliu tha: “Ne jemi të angazhuar që të unifikojmë standardet kudo në shërbimet që ne ofrojmë për të moshuarit në qendrat e përkujdesit rezidencial dhe ne qendrat e përkujdesit ditor dhe ato semirezidencial. Pra janë tre tipologji shërbimesh që ne synojmë të unifikojmë këto shërbime, duke synuar që të kemi garanci që të gjithë të moshuarit të trajtohen sipas një standardi që ata meritojnë”, është shprehur Manastirliu./albeu.com/