DETAJET/ 187 kg drogë në Kapshticë, shkon në 5 numri i të arrestuarëve (VIDEO)

Policia bën me dije se ka shkuar në 5 numri i të arrestuarve për trafik të lëndëve narkotike në drejtim të vendit fqinj Greqi.

Në kuadër të operacionit “Restart”, mbrëmjen e djeshme është sekuestruar një sasi prej 73 kilogramë e 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis si dhe është vënë në pranga poseduesi i lëndës narkotike që tentonte për t’a trafikuar në drejtim të shtetit grek.

Ndërkohë kujtojmë se operacioni ka filluar muaj më parë duke bërë të mundur që deri më tani të sekuestrohen 187.4 kg lëndë narkotike.

Si rezultat i informacioneve të grumbullauara nga hetimet proaktive, gjatë mbrëmjes së djeshme u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit Gj. M., 47 vjeç, banues në Korçë.

Njoftimi i plotë:

Vijon operacioni policor antidrogë i koduar “Restart”.

Shkon në 5 numri i të ndaluarve dhe në 187.4 kg lëndë narkotike të sekuestruar në kuadër të këtij operacioni që ka startuar një muaj më parë për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët në DVP Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit.

Në vijim të operacionit  mbrëmjen e djeshme u sekuestrua dhe 73 kilogramë e 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis si dhe është vënë në pranga poseduesi i lëndës narkotike që tentonte për t’a trafikuar në drejtim të shtetit grek.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe SHÇBA Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Restart”, nisur 1 muaj më parë, ku u vunë në pranga 4 shtetas dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 114 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kanë vijuar veprimet e thelluara  hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i informacioneve të grumbullauara nga hetimet proaktive, gjatë mbrëmjes së djeshme u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit Gj. M., 47 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas qarkullonte  me automjetin tip “Mazda” dhe është mbajtur në ndjekje nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë,  deri në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe në bazë të informacioneve të grumbulluara shërbimet e përbashkëta policore e kanë kaluar për kontroll të imtësishëm automjetin që ky shtetas drejtonte.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit, shërbimet e policisë  gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 61 pako me peshë 73.4 kg, lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të kundërligjeshme, në të cilën janë përfshirë disa shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

 


Shtuar 12.12.2021 11:52