Mbledhja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua në një atmosferë tensioni. Gjatë debatit, kryetarja Ina Zhupa akuzoi mazhorancën për “korrupsion legjislativ”, duke thënë se ajo ka përgatitur një paketë ligjore për ndërtimet në zonat e mbrojtura.
Duke iu referuar “The Albanian Files”, Zhupa deklaroi se ndryshimet ligjore janë bërë posaçërisht për t’iu përshtatur 523 projekteve.
Të lidhura
None found
“Ju e dini shumë mirë, që ky parlament ka bërë ligje mbasi Edi Rama ka publikuar librin. Dosjen shqiptare ku parashikonte ndërtime në zonat e mbrojtura pa ndryshuar ligji dhe për t’iu përshtatur atyre investimeve që kishte garantuar Edi Rama, ju keni bërë një paketë ligjore që u shkonte përshtat 523 projekteve, që pa këtë paketë ligjore do e kishin të pamundur të realizoheshin. Ky është kulmi i nivelit më të lartë të korrupsionit, quhet korrupsion legjislativ, ligje të bëra me porosi”, tha Zhupa.
Fjalët e saj sollën reagim te deputetët e mazhorancës, të cilët kërkuan që diskutimi të rikthehej te çështjet e rendit të ditës. Gjatë mbledhjes, deputeti i Partisë Socialiste Bujar Rexha u largua nga salla.
Më tej, Zhupa u ndal edhe te protesta që prej 29 ditësh po mbahet para kryeministrisë, duke thënë se ajo i ka dhënë qeverisë mesazhin se “i erdhi fundi”. Pas kësaj, ajo paraqiti tre propozime, ndërsa për kundërshtimin e sekretarit Arkend Balla ndaj votimit të tyre, u shpreh se “kanë frikë nga e vërteta”.
Ina Zhupa: 523 projektet janë bërja e Shqipërisë të pajetueshme, dëbimi i shqiptarëve, shkatërrimi i çdo zone të mbrojtur dhe dhurimi i Shqipërisë tek miqtë dhe oligarkët për t’u përdorur nga elitat e pasura shqiptare dhe botërore. Se këta jeni ju dhe këtë besoni ju. Po ajo protestë, në fakt, ka thënë gjënë më të rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme e asaj proteste është që ju erdhi fundi dhe realisht ju erdhi fundi.
Arkend Balla: Fundi ju ka ardhur juve, pasi ju kanë marrë kauzat tuaja!
Ina Zhupa: Kam tre sugjerime, në fund të procedurës. E para, vizitat monitoruese në sitet e trashëgimisë natyrore të cilat sot rezultojnë si problematike për t’i parë të gjithë së bashku, si është realisht situata, sepse është interesi i përbashkët të jetë i mirë.
Arkend Balla: S’i voton njëri këto propozime.
Ina Zhupa: Mos i voto se ti ke frikë nga e vërteta.
