Britma e emigrantit në kampin Manston në Angli po bëhet virale, dyshohet se është shqiptar

Një djalë i ri që besohet të jetë emigrant shqiptar është fotografuar duke ulëritur brenda kampit Manston në Angli ku mbahen emigrantët që mbërrijnë me gomone.

I riu bërtiti për të tërhequr vëmendjen e gazetarëve e për t’i treguar kushtet e vështira në atë kamp në Anglinë jugore.

Rojet e sigurisë u fotografuan duke iu afruar dhe qetësuar, por ai u tha se kishte 30 ditë që mbahej në këtë kamp.

Ngjarja ndodhi vetëm pak momente pas një grup deputetësh anglezë nga tre grupe të ndryshme parlamentare vizituan qendrën.

Më pas pesë roje të kampit e kanë tërhequr të riun duke e futur në ambientet e brendshme.

Kampi Manston dy javët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes në Angli për kushtet e vështira dhe trajtimin e emigrantëve.

Kjo qendër pritjeje ka një kapacitet për 1600 persona por aty u strehuan 3000.

Kjo prodhoi kritika ndaj qeverisë angleze e në veçanti ndaj sekretares për Punët e Brendshme, Suella Braverman.