Shqipëria ka nisur mbrëmjen e sotme garat në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, aktivitet që po mbahet në Bullgari, një event me rëndësi të dyfishtë, pasi është gjithashtu kualifikues për në Lojërat Olimpike.
Briken Calja ishte i pari që ka përfaqësuar flamurin kuqezi në këtë kompeticion , shtangisti me pritshmëritë më të larta në Kombëtare. 33-vjeçari, ish-kampion Europe dhe Bote, nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, duke e përfunduar dygarëshin në vend të pestë, edhe pse sërisht rezultati mbetet i lartë për peshëngritjen shqiptare, nuk mund të themi të njëjtën gjë për ambiciet e një sportisti të kalibrit të Caljes.
Briken Calja nuk e filloi në mënyrën më të mirë stilin e shkëputjes. Kampioni kuqezi dështoi në provën e parë me 148 kg, megjithatë u korrigjua në provën e dytë, duke e kaluar me sukses të njëjtën peshë. Më tej shtangisti shtërmenas shtoi plot 5 kg, duke provuar me 153 kg, por pa mundur që ta realizonte me sukses provën. Kështu me 148 kg, Calja e mbylli stilin e shkëputjes në vendin e shtatë. Ndërkohë kampion Europe në këtë stil u shpall bullgari Bozhidar Andreev, i cili nuk fali në garën e shtëpisë, duke regjistruar rezultatin më të lartë 155 kg.
Më pas ishte radha për stilin e shtytjes, aty ku shtangisti shqiptar e filloi mjaft mirë, duke realizuar me sukses 180 kg, por më pas nuk kaloi dy provat e tjera me 185 dhe 186 kg, për tu klasifikuar në vend të pestë në shtytje. Edhe në këtë stil kampion u shpall sërish Andreev, madje duke vendosur rekord të ri europian me 193 kg, gjithashtu rekord europian vendosi edhe në dygarësh me 348 kg. Ndërsa Calja e mbylli dygarëshin me 328 kg, duke u klasifikuar në vend të pestë.
Me këtë rezultat peshëngritësi kuqezi vijon të mbetet jashtë Lojërave Olimpike, ashtu sikurse peshëngritje shqiptare që vazhdon të mos ketë asnjë sportist brenda normës për në “Paris 2024”. Pas Europianit ka mbetur edhe një garë kualifikuese, Kampionati Botëror që do të mbahet në Tajlandë.