Emmanuel Macron pritet të zhvillojë këtë të hënë një mbledhje krize me kabinetin qeveritar, teksa zjarret e përmasave të mëdha në jugperëndim të Francës po përparojnë në drejtim të Bordeaux.
Të lidhura
None found
Vatra e zjarrit gjendet rreth 15 kilometra larg qytetit, i cili numëron afro 850 mijë banorë. Autoritetet kanë paralajmëruar se gjendja mund të rëndohet nga një tjetër valë të nxehti, gjatë së cilës temperaturat parashikohet të shkojnë deri në 40 gradë Celsius.
Më shumë se 220 mijë njerëz janë evakuuar deri tani nga zonat pranë Bordeaux. Sipas ministrit francez të Brendshëm, flakët po ndryshojnë drejtim në mënyrë të paparashikueshme dhe kushtet vijojnë të jenë “shumë të pafavorshme”. Pavarësisht rrezikut, ende nuk është dhënë urdhër për largimin e banorëve nga qyteti.
Federata Kombëtare e Zjarrfikësve njoftoi se zjarri në Girondë ka shkaktuar një dukuri të pazakontë të quajtur “pyrocumulonimbus”. Bëhet fjalë për një stuhi gjigante të formuar nga vetë flakët, e cila prodhon erëra dhe vetëtima, duke e vështirësuar ndjeshëm vënien e zjarrit nën kontroll. Zëdhënësi i zjarrfikësve, Eric Brocardi, deklaroi: “Vija e zjarrit zhvendoset pa pushim. Përballja e drejtpërdrejtë me të është e pamundur. Ngjan me betejën e Davidit kundër Goliathit”.
Në Francë, që prej nisjes së vitit, zjarret kanë djegur afërsisht 98 mijë hektarë. Mbi 42 mijë hektarë janë shkrumbuar vetëm në rajonin jugperëndimor, ku vendi po përballet me një nga zjarret pyjore më të mëdha që prej Luftës së Dytë Botërore.
Gjendje e rëndë raportohet gjithashtu në Spanjë. Një vatër e re pranë Valencias ka çuar në evakuimin e rreth 15 mijë banorëve, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të larguar nga zonat rreth Madridit dhe Ávilës ka kaluar 90 mijë.
Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se gjatë këtij viti flakët kanë përfshirë rreth 77 mijë hektarë tokë. Kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se Spanjën e presin “orë të vështira”, ndërsa kërkoi shtimin e angazhimit për përballimin e emergjencës klimatike.
