Donald Trump ka dalë në mbrojtje të rregullave të vendosura nga administrata e tij për inteligjencën artificiale, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë krijuar masat e nevojshme mbrojtëse. Ai pretendoi gjithashtu se Kina mbështetet vetëm te lideri i saj për të kontrolluar zhvillimet teknologjike dhe këmbënguli se Amerika është përpara Pekinit në garën për AI-në.
Të lidhura
None found
Presidenti amerikan nuk i pranoi paralajmërimet se inteligjenca artificiale mund të sjellë pasoja ekzistenciale për njerëzimin. Deklaratat e tij u bënë pasi ekspertë, punonjës dhe studiues të disa prej laboratorëve më të mëdhenj të AI-së, përfshirë Anthropic dhe OpenAI, kanë intensifikuar paralajmërimet publike për rreziqet e kësaj teknologjie.
I pyetur nëse e shqetëson mundësia që AI-ja të çojë në zhdukjen e njerëzimit, Trump u përgjigj se nuk kishte një shqetësim të tillë. “Jo, nuk kam asnjë. Jam vetëm i shqetësuar se nëse nuk fitojmë në fushën e AI-së, do të gjendemi në një pozicion shumë të keq,” u tha ai gazetarëve.
Uashingtoni dhe Pekini po përballen në një garë të ashpër për dominimin e inteligjencës artificiale. Përplasja është bërë edhe më e fortë, pasi modelet kineze të AI-së kanë përparuar dhe përdorimi i tyre është zgjeruar në vende të ndryshme të botës.
Jacob Coxon, ekspert i Anthropic, njoftoi pak ditë më parë largimin e tij nga kompania. Ai tha se vendimi lidhej me shqetësimet se Anthropic dhe rivali i saj OpenAI po “luajnë bixhoz me jetët e njerëzve”.
Coxon deklaroi se njerëzit që merren me zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale besojnë se ato mund të “na vrasë të gjithëve deri në fund të kësaj dekade”. Një prej arsyeve kryesore të frikës është mundësia që modelet të fitojnë aftësinë për të përmirësuar në mënyrë të pavarur performancën e tyre, pa u varur nga krijuesit.
