Kompania SpaceX kreu me sukses fluturimin e provës së anijes së saj gjigante Starship, vetëm pak ditë pas një tentative të dështuar, ku disa motorë dështuan të ndizeshin siç duhej gjatë fazës së ngritjes.
Të lidhura
None found
I emërtuar Fluturimi 13, ky test shënoi disa arritje të rëndësishme inxhinierike, përpara se pjesa e sipërme e anijes Starship ta përmbyllte udhëtimin me një ulje të kontrolluar në ujërat e Oqeanit Indian, referon CNN.
Gjithashtu, edhe shtytësi Super Heavy, i cili u shkëput nga Starship rreth dy minuta pas lëshimit, arriti të kryente një zbritje të ngjashme dhe të kontrolluar në Gjirin Persik.
Dan Huot, përfaqësues i SpaceX, nuk e fshehu entuziazmin teksa Starship vijoi të transmetonte imazhe në kohë reale edhe gjatë rënies finale drejt oqeanit. “Jam jashtë vetes nga gëzimi,” deklaroi ai, duke e quajtur përfundimin një “skenar të përsosur”. Ai vuri në dukje se kjo ishte hera e parë që kompania arrinte të vendoste me sukses një Starship krejtësisht të paprekur në det.
“Numri 13 na solli fat”, shtoi Huot, duke bërë aludim për faktin se ky ishte testi i 13-të me një raketë Starship të plotësuar tërësisht me shtytësin Super Heavy.
Ky aktivitet përfaqësonte testin e dytë për variantin më të ri të anijes, Starship V3. Gjatë demonstrimit të parë të zhvilluar në muajin maj, një sërë avarish motorike çuan në rënie të fuqisë së raketës dhe në pamundësi për të finalizuar misionin.
SpaceX po përballet me trysni të konsiderueshme për ta përgatitur Starship për një fluturim jetik provë të NASA-s të planifikuar gjatë vitit të ardhshëm, i cili mund të ndezë rrugëtimin për misionet e së ardhmes drejt Hënës.
Veç kësaj, ky shënoi edhe fluturimin e parë të SpaceX pasi kompania u listua në bursë. Përpjekja e pasuksesshme e javës paraardhëse pati ndikuar negativisht në vlerën e aksioneve të saj, të cilat ende po tregtohen në nivele më të ulëta se çmimi i përcaktuar në Ofertën Fillestare Publike.
