Skema gjigante e evazionit fiskal në Greqi/ 206 milionë euro borxhe, kompani të hapura në emra të tjerë dhe fatura të lëshuara pas vdekjes

Një hetim i gjerë në Selanik dhe Halkidiki ka nxjerrë në pah një prej rasteve më të mëdha të dyshuara të evazionit fiskal në historinë gjyqësore të Greqisë. Deri tani janë arrestuar 16 persona, ndërsa në dosje përfshihen 1 283 të dyshuar dhe 917 kompani.

Pas një pune të gjatë hetimore, dosja voluminoze iu dorëzua Prokurorisë së Shkallës së Parë në Selanik më 7 nëntor 2026. Hetimet vijojnë ende dhe autoritetet nuk përjashtojnë arrestime të tjera. Sipas informacioneve të publikuara nga media greke “Zougla”, numri i të arrestuarve mund të shkojë deri në 50 persona.

Të lidhura

None found

Nga 917 kompanitë nën verifikim, 860 prej tyre rezultojnë se kanë detyrime të konfirmuara ndaj shtetit dhe fondeve të sigurimeve shoqërore. Shuma e përgjithshme e borxheve arrin në 206 269 437 euro.

Në këtë total përfshihen 138 milionë euro detyrime tatimore të papaguara, si dhe më shumë se 68 milionë euro kontribute që nuk janë derdhur në fondin e sigurimeve EFKA.

Emra të njohur të sipërmarrjes, të lidhur me një pjesë të rëndësishme të lokaleve dhe klubeve të natës në Selanik, figurojnë në materialet e hetimit. Një prej tyre është biznesmeni Ilias Violidhis, i cili dyshohet se kontrollonte një numër të madh aktivitetesh në qytet.

Sipas të dhënave të dosjes, Violidhis dhe nëna e tij 81-vjeçare kishin në pronësi 17 kompani. Detyrimet e këtyre shoqërive llogariten në rreth 4,68 milionë euro.

Hetuesit kanë identifikuar një skemë të dyshuar për zhvendosjen e aktivitetit ekonomik në shoqëri të reja, e cila është konstatuar në 14 prona premium në Selanik. Bizneset, pasi rëndoheshin nga borxhet, transferoheshin te kompani të tjera, ku nëna 81-vjeçare paraqitej si aksionere kryesore, ndërsa administrimi u besohej personave të tjerë.

Kompanitë e reja, sipas dosjes, përdornin të njëjtin numër telefoni dhe të njëjtën adresë elektronike, të dyja të lidhura drejtpërdrejt me biznesmenin.

Në hetim janë përfshirë edhe sipërmarrësit Konstantinos Bertakis dhe Theodoros Pozidis. Ata lidhen me dy prej lokaleve më të njohura të natës në Selanik, Pylí Axiou dhe VOG Club. Dokumentet hetimore tregojnë se detyrimet e aktiviteteve të lidhura me ta arrijnë në rreth 6,7 milionë euro.

Dyshimi i hetuesve është se funksionimi i këtyre lokaleve bëhej përmes një sërë kompanish të përkohshme, të regjistruara në emra personash të tjerë, të cilët shërbenin vetëm si administratorë formalë.

Pronarët e ambienteve kanë deklaruar se për qiratë dhe funksionimin e lokaleve negocionin drejtpërdrejt me dy biznesmenët. Në dëshmi përmendet edhe mënyra e pagesës së stafit: artistët dhe punonjësit merrnin para në dorë, të vendosura në zarfe që liheshin në sirtarët e kuzhinës.

Në dosje janë përfshirë edhe vëllezërit Marios dhe Markellos Muratidi. Ata zotëronin 25 kompani, të cilat kishin krijuar detyrime në vlerën e rreth 3,24 milionë eurove.

Sipas hetimit, përmes një kompanie të pasurive të paluajtshme, vëllezërit merrnin me qira shtatë prona ku ushtronin aktivitet restorante dhe klube nate në Selanik dhe në zonat përreth. Më pas, këto ambiente u jepeshin me nënqira shoqërive të regjistruara në emra të ndryshëm.

Skema e dyshuar parashikonte që, kur një kompani grumbullonte borxhe të konsiderueshme, ajo mbyllej dhe zëvendësohej menjëherë nga një shoqëri tjetër. Aktiviteti vijonte në të njëjtën adresë dhe me të njëjtin staf, ndërsa ndryshonin emri i kompanisë dhe administratori.

Një tjetër person i evidentuar në dosje është biznesmeni Vasilios Varsamis. Hetuesit dyshojnë se ai kishte ngritur një rrjet prej të paktën 25 biznesesh dhe përdorte gjashtë kompani administrimi pronash për të dhënë me qira 12 ambiente te shoqëri të regjistruara në emra të personave të tjerë.

Edhe në këtë rast, dokumentet tregojnë se kompanitë e ngarkuara me borxhe mbylleshin dhe në të njëjtën ditë krijohej një subjekt i ri, i cili merrte përsipër vazhdimin e aktivitetit. Në mënyrë të pazakontë, vetë biznesmeni figuroi në sistemin e punësimit ERGANI si punonjës pritjeje, portier apo punonjës zyre.

Një element tjetër i hetimit është përdorimi i njerëzve me të ardhura minimale si administratorë të kompanive. Sipas dosjes, një grua që punonte si pastruese dhe merrte 481 euro pagë mujore rezultonte administratore në 12 kompani. Këto shoqëri kishin krijuar borxhe prej 1,26 milionë eurosh.

Gruaja ka deklaruar se gjatë periudhës 2022-2025 kishte marrë 1 000 euro vetëm për të firmosur dokumente. Ndërkohë, një kameriere figuron administratore në 16 kompani me detyrime prej 3,31 milionë eurosh, ndërsa një portier rezulton i regjistruar në tetë kompani me borxhe prej 3,6 milionë eurosh.

Një punonjës kuzhine, i cili përfitonte edhe nga skemat e ndihmës sociale, rezulton administrator në 13 kompani. Sipas hetimeve, këto kompani i kanë shkaktuar shtetit detyrime prej më shumë se 30 milionë eurosh. Në listën e personave të përdorur në këtë skemë përmenden gjithashtu një pjekës mishi, një pastrues, një arkëtar dhe një kultivues molusqesh.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se emrat e 12 personave të vdekur dyshohet se janë përdorur për administrimin e kompanive. Kontrolli në sistemin elektronik myDATA tregoi se numrat personalë tatimorë të tyre vazhdonin të regjistronin fatura hyrëse dhe dalëse edhe muaj ose vite pas vdekjes.

Njëri prej këtyre personave lidhet me detyrime në vlerën 14,8 milionë euro. Në dosje përmendet edhe ish-modeli dhe aktori grek Errikos Petilon, i cili dyshohet se është përdorur si administrator formal në tetë kompani.

Këto tetë kompani kishin detyrime të përgjithshme prej 595 976 eurosh. Sipas të dhënave të publikuara, në vitet e fundit Petilon deklaronte të ardhura vjetore nga 2 000 deri në 2 500 euro dhe figuroi si punonjës pritjeje me kohë të pjesshme.

Që prej 1 marsit 2023, ai rezulton i emëruar administrator dhe ortak në disa kompani të lidhura me rrjetin. Për këtë angazhim, sipas raportimit, paguhej nga 200 deri në 700 euro në muaj.

Hetimi lidhet edhe me një biznesmen shumë të njohur të jetës së natës në Selanik, i cili dyshohet se ishte ndër figurat kryesore të skemës, por arriti të shmangte arrestimin. Sipas raportimeve, ai u njoftua me telefon përpara ndërhyrjes së autoriteteve dhe u largua për të mos rënë në pranga.

Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se kush e informoi biznesmenin dhe nëse personi që e paralajmëroi kishte akses në të dhëna të administratës tatimore. Bashkëshortja e tij, ndërkohë, u arrestua.

Avokati i saj, Antonis Koudroglou, deklaroi se klientja nuk kishte lidhje me skemën e evazionit fiskal. Sipas tij, arrestimi lidhej vetëm me zbulimin e një arme antike gjatë kontrollit të banesës dhe jo me përfshirjen në veprimtari kriminale.

Koudroglou, i cili përfaqëson disa prej personave të akuzuar, paralajmëroi se publikimi i plotë i emrave të përfshirë mund të shkaktojë tronditje në industrinë e argëtimit në Selanik. Ai tha se gjatë fazës paraprake të hetimeve janë përmendur emra shumë të njohur të biznesit në qytet.

Autoritetet greke vijojnë punën për të zbardhur të gjithë strukturën e dyshuar, për të identifikuar personat që qëndronin pas kompanive dhe për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të secilit. Përmasat e dosjes, numri i personave dhe kompanive të përfshira, si dhe detyrimet prej qindra milionë eurosh, e bëjnë këtë çështje një nga hetimet më të mëdha ekonomike në Greqi.


Shtuar më 8.11.2026 17:38

bahis siteleriBursa Escortbahis sitelerijojobetyasal bahis siteleriyasal bahis siteleriyasal bahis sitelerideneme bonusujojobetjojobet girişjojobetjojobet girişgrandpashabetkahraman haberdeneme bonusujojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişcasinofast güncel girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişpadişahbet