Serbia përjashtohet nga udhërrëfyesit e BE-së, Shqipëria dhe tre vende të tjera udhëheqin procesin

Komisioni Evropian nuk ka parashikuar një dokument orientues për Serbinë në kuadër të rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fund të muajit tetor, institucioni evropian do të bëjë publike udhërrëfyesit për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat vlerësohen si vendet me ecurinë më të dukshme në procesin e zgjerimit.

Të lidhura

None found

Ky veprim konfirmon zyrtarisht se Beogradi nuk e gëzon më pozicionin e dikurshëm si një prej vendeve udhëheqëse në rrugën drejt integrimit evropian.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Serbisë do t’i duhet të plotësojë kushte shtesë. Ajo shtoi se pas zgjedhjeve do të shihet nëse qeveria serbe është vërtet e angazhuar për anëtarësim apo thjesht e përsërit këtë synim pa ndërmarrë hapa konkretë.

Gjatë fjalës së saj para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos theksoi se kjo vlen sidomos për përafrimin strategjik dhe përputhjen me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të BE-së.

Sipas Strahinja Subotiqit nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane me seli në Beograd, mungesa e një udhërrëfyesi për Serbinë është një sinjal i fortë paralajmërues dhe provë se vendi po përjeton stanjacion në integrimin evropian.

Ai nënvizoi se kjo ngecje nuk shfaqet më vetëm përmes faktit që Serbia prej vitesh nuk ka çelur asnjë grup-kapitull në bisedimet e anëtarësimit dhe nuk arrin të përfitojë nga fondet e Planit të Rritjes.

“Tani, në thelb, po na dërgohet mesazhi se mund të humbasim edhe përfitime të shumta që lidhen me anëtarësimin gradual në BE”, u shpreh Subotiq.

Këto udhërrëfyes do të bëjnë pjesë në paketën e zgjerimit, që Komisioni Evropian synon ta miratojë më 28 tetor.

Që nga dhjetori i vitit 2021, Serbia nuk ka çelur asnjë grup-kapitull në negociatat me BE-në.

Këtë javë, Marta Kos prezantoi propozimin e ri të Komisionit Evropian për rregullat që do të zbatohen për anëtarët e ardhshëm të bllokut.

Duke shpjeguar pse vetëm katër shtete përfshihen në udhërrëfyes, ajo tha se këto dokumente kanë kuptim vetëm për vendet që bëjnë përparim të vërtetë në procesin e anëtarësimit.

“Do ta krahasoja me një makinë. Nëse makina nuk funksionon, nuk ka kuptim ta shtyjmë nga pas kur motori nuk punon. Dhe motori mund të punojë vetëm nëse ka karburant, ndërsa karburante janë reformat brenda vendit”, tha ajo.

Corina Stratulat nga Qendra për Politika Evropiane (EPC) tha se përjashtimi i Serbisë nga udhërrëfyesit përcjell një mesazh për vendet kandidate: pozicioni i një vendi prijës në integrimin evropian duhet fituar dhe ruajtur.

Sipas saj, BE-ja duhet ta mbështesë këtë vendim në kritere të qarta për reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe harmonizimin e politikës së jashtme, si dhe të tregojë qartë se çfarë duhet të bëjë Serbia për të zbutur ngecjen. Ajo shtoi se vetë BE-ja ka nevojë për një udhërrëfyes për përgatitjet e veta, sepse reformat e vendeve kandidate nuk mjaftojnë për realizimin e zgjerimit.

Rruga evropiane e Serbisë praktikisht ka mbetur e bllokuar që nga dhjetori i vitit 2021, kur u hap grupkapitulli 4, i fundit për Beogradin në negociatat e anëtarësimit.

Ai grup-kapitull përfshin agjendën e gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme dhe u hap në kohën kulmore të protestave kundër projektit të kompanisë Rio Tinto për nxjerrjen e litiumit.

Ngecja fillimisht u shkaktua nga mospërputhja e politikës së jashtme të Serbisë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, të vendosura pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, vetëm dy muaj pas çeljes së grupkapitullit të fundit.

Përveç kësaj, sundimi i ligjit është përkeqësuar, duke e vështirësuar edhe më shumë daljen e Serbisë nga stanjacioni disavjeçar në integrimin evropian.

Subotiq mendon se me këtë qasje Serbia rrezikon të mbesë në fund të radhës së vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

“Dhe të mbetet e ngecur në një lloj Ballkani të izoluar, veçanërisht nëse vendet si Mali i Zi dhe Shqipëria vazhdojnë të punojnë si deri më tani dhe arrijnë të anëtarësohen në BE në një të ardhme të parashikueshme”, u shpreh ai.

Si e humbi Serbia terrenin ndaj shteteve të tjera kandidate?

Kur Serbia hapi grupkapitullin e fundit në dhjetor 2021, Mali i Zi kishte mbyllur përkohësisht vetëm tre kapituj negociues.

Sot, Podgorica ndodhet pranë përfundimit të bisedimeve dhe ka perspektivë që Marrëveshja e Anëtarësimit të nënshkruhet verën e ardhshme.

Shqipëria, e cila tani renditet e dyta mes vendeve udhëheqëse në zgjerim, nuk kishte marrë ende vendimin për hapjen e negociatave në dhjetor të vitit 2021.

Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë u çelën në korrik të vitit 2022.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, mbajtur në Bruksel më 14 korrik 2026.

Ndërkaq, në vitet në vijim edhe Ukraina e Moldavia morën statusin e vendit kandidat dhe më pas hapën negociatat e anëtarësimit.

Të gjitha këto zhvillime kanë bërë që Serbia ta humbasë dalëngadalë pozitën e saj mes vendeve udhëheqëse në procesin e integrimit evropian.

I pyetur se si Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia arritën ta kalojnë Serbinë, e cila dikur ishte ndër udhëheqëset bashkë me Malin e Zi, Subotiq tha se sipas Komisionit Evropian, Serbia ende renditet si vendi i dytë kandidat më i përgatitur nga ana teknike për anëtarësim.

“Por, ndryshe nga Serbia, këto vende po bëjnë përparim të mirë në një numër të madh kapitujsh negociues. Tashmë nuk merret domosdoshmërisht parasysh vetëm përgatitja teknike, por edhe vullneti i sinqertë politik për të bërë përparim në shumë kapituj”, theksoi ai.

Ai shtoi se Komisioni Evropian po synon përmes anëtarësimit gradual të ruajë ritmin e përparimit, në mënyrë që vendet kandidate, edhe nëse nuk janë teknikisht më të përgatiturat, të arrijnë një shkallë më të lartë gatishmërie në një të ardhme të parashikueshme.

Përpjekja më serioze e fundit për të shkëputur Serbinë nga ngecja u bë në korrik, kur disa vende anëtare të BE-së vlerësuan se Beogradit duhej t’i jepej mundësia për hapjen e grupkapitullit 3.

Kjo përpjekje kishte mbështetjen e vendeve me ndikim si Gjermania dhe Franca, por nuk u arrit konsensusi i nevojshëm.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime të besueshme se nga korriku deri në shtator vazhduan orvatjet për të bindur shtetet e tjera anëtare që të arrihej unanimiteti dhe të zhbllokohej procesi.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, vendet që përkrahnin avancimin e rrugës evropiane të Beogradit u tërhoqën, të paktën përkohësisht, në shtator, pas zhvillimeve që lidheshin me vdekjen dhe varrimin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq.

Këto zhvillime, bashkë me zgjedhjet e parakohshme të shpallura për 25 tetor, tregojnë se deri në fund të vitit ka pak gjasa për përparim konkret në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.


Shtuar më 10.10.2026 16:09