Rusia sulmon sërish Ukrainën, tre të vrarë dhe disa të plagosur

Rusia i ka shpeshtuar sulmet në disa rajone të Ukrainës të martën, duke i vrarë së paku tre njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e energjisë, thanë zyrtarët ukrainas.

Një burrë 64-vjeçar u vra nga bombardimet ruse në qytetin jugor, Nikopol, mëngjesin e së martës, tha Serhiy Lyask, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, duke shtuar se u dëmtua edhe një shtëpi private.

Në rajonin jugor Herson, një burrë 83-vjeçar u vra nga bombardimet mbi fshatin Leviv mëngjesin e së martës, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin. Ai shtoi se dy civilë u plagosën në këtë rajon nga sulmet e djeshme.

Disa njerëz u plagosën nga bombardimet ruse në rajonet Zaporizhja dhe Donjeck, thanë autoritetet.

Të martën, Rusia kreu sulme me dronë në rajonin Dnipropetrovsk për ditën e dytë radhazi, duke e shënjestëruar infrastrukturën e energjisë, tha Lysak.

“Mbrojtja jonë i rrëzoi 10 dronë mbi qytetin Dnipro”, shkroi Lysak në Telegram.

“Por objektet e energjisë u goditën disa herë në këtë qytet, dhe si pasojë shpërtheu një zjarr”, shtoi ai.

Kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, DTEK, tha se termocentralet pësuan dëme të mëdha gjatë sulmeve, por nuk ka viktima.

Kryetari i Dnipro, Borys Filatov, tha se shkollat u mbyllën në një lagje dhe se një spital u evakuua para një moti të ftohtë që pritet ta godasë këtë pjesë, i cili do ta rriste trysninë ndaj rrjetit elektrik.

Me gati një milion banorë, Dnipro është qyteti i katërt më i madh i Ukrainës.

Lysak tha se punëtorët e kanë kthyer furnizimin me rrymë në qytezën e vogël Pavlohard, në jug të Dnipros, e cila ishte sulmuar nga dronët rusë një ditë më parë.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 16 nga 23 dronët me të cilët Rusia i sulmoi të martën rajonet Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Herson.