Enzo Fernandez jep një përgjigje të prerë ndaj thashethemeve për transferim tek Barcelona

Enzo Fernandez ka pretenduar se ai nuk dëshiron të largohet nga Chelsea pas thashethemeve që qarkulluan se mesfushori është i gatshëm t’i bashkohet Barcelonës.

23-vjeçari i cili u transferua në Londër nga Benfica për shumën e 105 milionë eurove janarin e kaluar, raportohet se nuk është i lumtur në “Stamford Bridge”.

Është thënë se Fernandez do të pranonte një largim diku tjetër dhe Barcelona po shihej si një destinacion potencial për reprezentuesin argjentinas, ani pse ai ka edhe tetë vite të mbetura në kontratën e tij me Chelsean.

Tani, Fernandez i ka dhënë fund këtyre thashethemeve, duke thënë se nuk planifikon largimin nga “Blutë e Londrës”.

“Unë nuk dua të largohem nga Chelsea. Unë ndihem shumë mirë këtu me bashkëlojtarët e mi dhe stafin e trajnerëve që nga dita e parë kur kam ardhur. Njerëzit në klub po më trajtojnë mua mirë dhe unë jam mirënjohës për këtë”, ka thënë Fernandez.

“Unë do të vazhdojë këtu deri në momentin kur ata duan që të largohem. Nuk e di se nga erdhën këto thashetheme, ato u shfaqën në rrjetet sociale. Unë i mohoj totalisht ato”, u shpreh ai.

Kjo deklaratë e Fernandez vjen vetëm disa ditë pasi agjenti i tij Uriel Perez, kishte konfirmuar se ish-mesfushori i River Plates nuk është duke planifikuar që të largohet nga Anglia.

“Që të dy, Enzo dhe unë jemi shumë të qartë se çfarë projekti është, i cili më është transmetuar mua në ditën e finales së Kupës së Botës”, kishte thënë Perez për ESPN javën e kaluar. /Telegrafi/


Shtuar 13.02.2024 21:04