Lidhja sentimentale e Jordan Bardellës, kreut të ekstremit të djathtë në Francë, me princeshën italiane Maria Carolina de Bourbon des Deux-Siciles po kthehet në një problem politik për Tubimin Kombëtar, ndërsa rivalët e tij thonë se ai po largohet nga profili i politikanit pranë shtresës punëtore dhe po i afrohet elitave që ka sulmuar prej vitesh.
Të lidhura
None found
Marrëdhënia mes eurodeputetit 30-vjeçar dhe aristokrates italiane ka marrë vëmendje të madhe në media gjatë muajve të fundit. Sipas analistëve dhe figurave të partisë së tij, kjo histori rrezikon të ndikojë te mënyra se si publiku e sheh Bardellën, pikërisht përpara një periudhe të rëndësishme për të ardhmen e tij politike.
Edhe pse çifti ishte shfaqur publikisht për herë të parë në prill, në kopertinën e revistës “Paris Match”, ishte paraqitja e tyre në Çmimin e Madh të Monakos në fillim të qershorit ajo që e ktheu romancën në një çështje politike.
Fotot e Bardellës duke ndjekur eventin luksoz në krah të princeshës u publikuan në një kohë kur Franca ishte e tronditur nga përdhunimi dhe vrasja e një vajze 11-vjeçare. Pak ditë më pas, gjatë një emisioni televiziv, ai u pyet nëse prania e tij në Monako kishte qenë e papërshtatshme dhe reagoi me nervozizëm.
“A është kjo një pyetje serioze? Ka marshime të heshtura çdo ditë”, u përgjigj ai, ndërsa shtoi se familja e viktimës kishte kërkuar që politikanët të mos merrnin pjesë në ceremoninë përkujtimore.
Kjo deklaratë ngjalli kritika në mediat franceze dhe shkaktoi shqetësim edhe brenda Tubimit Kombëtar. Sipas burimeve nga partia, episodi u konsiderua një “gabim politik”, me frikën se mund të krijojë përshtypjen e mungesës së empatisë ndaj ngjarjeve që godasin opinionin publik.
Bardella e ka ndërtuar figurën e tij publike mbi rrëfimin personal si djalë i një familjeje të zakonshme nga periferitë e Parisit, duke u paraqitur si zë i klasës punëtore franceze dhe si kritik i elitave politike dhe ekonomike.
Nga ana tjetër, partnerja e tij vjen nga një prej dinastive aristokrate më të njohura në Itali. Maria Carolina de Bourbon des Deux-Siciles është trashëgimtare e një pasurie të madhe familjare dhe jeton mes rezidencave luksoze në Monako, Paris, Saint-Tropez dhe Sardenjë.
Ajo njihet edhe si figurë e spikatur në rrjetet sociale, ku promovon marka luksoze dhe publikon rregullisht fotografi nga udhëtimet dhe aktivitetet e saj.
Pikërisht ky dallim mes prejardhjes së Bardellës dhe stilit të jetesës së partneres së tij është përdorur nga kundërshtarët politikë, të cilët e akuzojnë liderin e ekstremit të djathtë për hipokrizi.
Sipas mediave franceze, Bardella dhe princesha janë njohur gjatë një aktiviteti të Formula 1 në vitin 2025 dhe që prej asaj kohe janë parë bashkë në disa aktivitete publike.
Vetë Bardella ka zgjedhur të flasë rrallë për jetën e tij private. Në një intervistë të mëparshme, ai ka thënë se partnerja e tij nuk është e përfshirë në politikë.
“Ajo është pranë meje, është një grua e jashtëzakonshme dhe jam shumë i lumtur”, është shprehur ai.
Në Francë, marrëdhëniet sentimentale të drejtuesve politikë rrallëherë kanë sjellë pasoja elektorale. Megjithatë, për publikun francez, pasuria dhe mënyra e jetesës mbeten çështje shumë më të ndjeshme.
Sipas raportimeve të mediave franceze, familja e Maria Carolinës zotëron një pasuri që vlerësohet mbi 130 milionë euro, ndërsa ajo është rritur mes rezidencave luksoze dhe është arsimuar nga mësues privatë.

