Për Brette Abshier, blerja e një shtëpie të re në Austin të Teksasit ishte një arritje e rëndësishme. Megjithatë, investimi që dukej i favorshëm u kthye në shqetësim, kur pak vite pas blerjes në banesë nisën të krijoheshin çarje gjithnjë e më të mëdha.
Shenja e parë ishte një e çarë e vogël në pllakat e dhomës së ndenjjes, që u shfaq vitin e kaluar. Në fillim, Abshier nuk u shqetësua, por pas disa muajsh dëmtimi u zgjerua me shpejtësi dhe u përhap nëpër shtëpi. Çarje u konstatuan te themelet, muret, tavani dhe suvaja e jashtme, ndërsa gozhdët nisën të dilnin nga muret.
Të lidhura
None found
Banesën, të ndërtuar nga kompania amerikane Lennar, Abshier e bleu në vitin 2019. Sipas kompanisë, themelet vijonin të ishin brenda kufijve të lejuar të tolerancës. Pronarja, megjithatë, dyshonte se gjithçka ishte në rregull dhe vendosi ta tregonte shqetësimin në rrjetet sociale.
“Një mëngjes, ndërtuesi erdhi për të parë shtëpinë dhe më tha se çarja që përshkon banesën nga njëra anë në tjetrën është krejt normale. Dua të di nëse kjo është normale dhe nëse edhe të tjerë po kalojnë të njëjtën gjë, sepse nuk më duket normale”, shkroi ajo në një video të publikuar në TikTok në shtator.
Abshier ka hedhur rreth një duzinë videosh ku shfaq dëmet e banesës. Ato kanë grumbulluar qindra mijëra shikime dhe njëra prej tyre ka kaluar 1.2 milionë.
“Sa më shumë e vërej dëmin, i cili po rritet dalëngadalë, aq më e madhe duket puna që më pret. Tashmë nuk mjafton të riparohen themelet dhe të shtrohet një dysheme e re. Pothuajse çdo dhomë e shtëpisë ka probleme”, i tha ajo CNN.
Situata e Abshierit vjen në një periudhë kur tregu amerikan i banesave po ndryshon ndjeshëm: për herë të parë pas një kohe të gjatë, shtëpitë e reja po shiten më lirë se ato ekzistuese.
Byroja e Regjistrimit të SHBA-së raportoi se në shtator çmimi mesatar i një shtëpie të re ishte 400,400 dollarë. Sipas Shoqatës Kombëtare të Agjentëve Imobiliarë, banesat ekzistuese kushtonin mesatarisht 417,500 dollarë. Çmimet rekord të banesave dhe kreditë e shtrenjta po i shtyjnë shumë blerës drejt ndërtimeve të reja, të joshur nga kostoja më e ulët.
Për të tërhequr klientë, kompanitë e mëdha të ndërtimit po nxjerrin në treg gjithnjë e më shumë banesa më të vogla e më ekonomike. Ato ofrojnë edhe lehtësi financiare, si mbulimi i kostove të mbylljes së kontratës dhe ulja e normave të interesit të kredive.
Por ndërtuesit janë përballur edhe me akuza për punime me cilësi të dobët. Një ekspert ligjor thotë se po shtohen paditë ndaj kompanive të mëdha, ndërsa rastet që përhapen gjerësisht në rrjetet sociale nxjerrin në pah problemet që mund të shoqërojnë blerjen e një banese të re.
Ekspertët paralajmërojnë se kërkesa për të ndërtuar më shumë shtëpi në më pak kohë, e kombinuar me mungesën e punëtorëve të kualifikuar, mund të ndikojë në cilësinë e ndërtimeve.
Jordan Van Voorst, inspektor banesash në Florida dhe Alabama, thotë se vitet e fundit ka vënë re rritje të problemeve në shtëpitë e reja.

“Gjatë gjysmës së inspektimit ecën nëpër shtëpi dhe tund gjërat. Do të habiteshit sa shumë sende janë të lëvizshme: ndriçuesit, ishujt e kuzhinës, pasqyrat”, tha ai.
Sipas Van Voorstit, pjesa më e madhe e këtyre të metave rregullohen lehtë. Megjithatë, blerësit e shtëpisë së parë janë më të cenueshëm, sepse shpesh nuk dinë çfarë duhet të kontrollojnë.
Banesat e reja kanë edhe anë pozitive: zakonisht shpenzojnë më pak energji dhe ndërtuesit duhet të riparojnë defektet që përfshihen në garanci.
Një situatë e ngjashme po përjeton Brad Crabtree në Celina, pranë Dallasit, ku shtëpia e tij ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Një çarje e gjerë është hapur përgjatë anës së banesës, duke dëmtuar tullat dhe zbuluar shtresat e brendshme të murit.
Edhe pllakat brenda shtëpisë janë krisur dhe kanë krijuar cepa të mprehtë. Crabtree thotë se fëmijët e tij duhet të ecin me kujdes dhe në disa raste u janë prerë këmbët.
“Kur bie shi, rri zgjuar dhe dëgjoj shiun që përplaset në anën e shtëpisë ku është hapur një çarje e madhe. Mendoj: Shpresoj të mos shkaktojë edhe një problem tjetër”, tregoi ai.
Shtëpinë e blerë në vitin 2021 Crabtree e kishte marrë nga Lennar. Pas disa muajsh komunikimi dhe mosmarrëveshjesh, në fund të shtatorit kompania pranoi të kryente riparimet. Të dyja banesat mbulohen nga garancia strukturore 10-vjeçare e Lennar, e cila në një deklaratë për CNN tha se garanton cilësinë e shtëpive që ndërton.
“Çdo shtëpi e re Lennar mbulohet nga garancia jonë e kufizuar 1-2-10: një vit për cilësinë e punimeve, dy vjet për sistemet dhe 10 vjet për elementet strukturore”, deklaroi një përfaqësues i kompanisë.
Përfaqësuesi shtoi se Lennar po komunikon me pronarët që kanë ngritur shqetësime dhe po shqyrton mënyrën e trajtimit të secilit rast. Crabtree thotë se familja e tij ka krijuar kujtime të bukura në shtëpi, por pranon se para blerjes duhej të kishte bërë më shumë pyetje.
“A jam penduar për këtë shtëpi? Fëmijët tanë janë rritur këtu dhe e kanë shijuar, por mbase duhej të kishim pyetur më shumë. Ose, po të dinim atë që dimë sot, ndoshta do të kishim blerë diku tjetër”, u shpreh ai.
As Crabtree dhe as Abshier nuk kanë thënë se planifikojnë të nisin veprime ligjore, të paktën tani për tani. Abshier tregon se së fundmi ka komunikuar vazhdimisht me ndërtuesin dhe shpreson që kompania të marrë përgjegjësi për problemet.
“Shumë njerëz të afërt më thonë se jam paksa tepër optimiste. Por shpresoj që ndërtuesi të veprojë siç duhet”, përfundoi ajo.







