Tetë punime të artistit të njohur francez Henri Matisse janë gjetur nga policia braziliane, pasi ishin grabitur në dhjetor të vitit 2025 nga një bibliotekë në São Paulo.
Veprat i përkasin albumit të famshëm “Jazz”, të publikuar në vitin 1947. Ato u zbuluan gjatë një operacioni policor në një banesë në qendër të São Bernardo do Campo, pranë São Paulos. Pamjet e shpërndara nga autoritetet tregojnë punimet me ngjyra të ndezura të vendosura mbi një shtrat, ku ndodhej edhe një revolver.
Të lidhura
None found
Vlera e tetë veprave të gjetura llogaritet në rreth 200 mijë dollarë, ose mbi 173 mijë euro. Policia bëri të ditur se ato mbaheshin nga një person i armatosur, i dyshuar se kishte marrë përsipër ruajtjen e tyre për organizatorin e grabitjes.
Gjatë ndërhyrjes u arrestua një burrë, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për marrje të mallrave të vjedhura dhe mbajtje të paligjshme të një arme zjarri. Në paraburgim u dërgua gjithashtu një grua që po hetohet për përfshirjen e mundshme në vjedhje.
Autoritetet thonë se grupi funksiononte në mënyrë të organizuar. Anëtarët dyshohet se kishin përgatitur grabitjen dhe kishin përcaktuar role të veçanta për marrjen, fshehjen dhe shitjen e veprave në tregun e zi.
Grabitja u krye më 7 dhjetor, kur dy persona të armatosur hynë me forcë në bibliotekën Mario de Andrade në São Paulo. Përpara se të largoheshin me disa nga punimet e ekspozuara, ata mposhtën një punonjës sigurie dhe një çift të moshuar që po vizitonte ekspozitën.
Nga biblioteka u morën gjithsej 13 vepra arti. Krahas tetë punimeve të Matisse, autorët vodhën edhe pesë vepra të modernistit brazilian Cândido Portinari. Punimet e Portinarit vazhdojnë të jenë të pagjetura, ndërsa policia dyshon se mund të jenë shitur tashmë në tregun e zi.
Vetëm një ditë pas grabitjes, njëri nga të dyshuarit përfundoi në pranga. Identifikimi i tij u bë i mundur përmes sistemit biometrik dhe teknologjisë për njohjen e fytyrës.
Hetimet vazhduan në muajt që pasuan. Në prill, autoritetet arrestuan në Rio de Janeiro personin e dyshuar si organizatori i grabitjes. Ai u kap në momentin kur po tentonte të korruptonte një roje sigurie, me synimin për të kryer një tjetër vjedhje veprash arti.
Gjatë muajit maj, policia ndërmori edhe disa operacione në ambiente të lidhura me ankandet dhe tregtinë e veprave të artit, në qytete të ndryshme të Brazilit.
“Jazz”, albumi i Henri Matisse i botuar në Francë më 1947, cilësohet si një objekt i rrallë për koleksionistët. Të dhënat e shtëpisë së ankandeve Christie’s tregojnë se në mbarë botën gjenden vetëm rreth 300 kopje, ndërsa afërsisht 250 prej tyre mbajnë firmën e artistit.
Gjetja e tetë veprave konsiderohet një goditje e rëndësishme për rrjetin e dyshuar se qëndron pas grabitjes dhe tregtisë së paligjshme të trashëgimisë kulturore në Brazil.
