India është tronditur nga një krim i pazakontë, ku autoritetet kanë zbuluar se një grua 32-vjeçare orkestroi vrasjen e bashkëshortit duke përdorur një gjarpër me helm vdekjeprurës, me synimin për ta paraqitur ngjarjen si një aksident.
Viktimë ishte Atul Kumar Panwar, po 32 vjeç, i cili zotëronte një çerdhe private në distriktin Meerut të shtetit Uttar Pradesh. Trupi i tij i pajetë u gjet të premten në mëngjes brenda banesës ku banonte me gruan dhe të birin 6-vjeçar.
Të lidhura
None found
Policia dyshon se bashkëshortja e tij e thuri komplotin së bashku me shoferin e autobusit shkollor, me të cilin hetuesit mendojnë se kishte një lidhje jashtë martese.
Sipas rikonstruksionit të hetimeve, 32-vjeçarit fillimisht iu shërbye qumësht i përzier me pilula gjumi. Pasi ra në gjumë të thellë, autorët e dyshuar sollën një gjarpër krait – një prej llojeve më helmues në Azi – për ta kafshuar teksa flinte. Plani ishte që vdekja të ngjante si pasojë e një pickimi fatal e të rastësishëm.
Në agim, gruaja lajmëroi fqinjët se i shoqi kishte ndërruar jetë nga pickimi i gjarprit. Zvarraniku u gjet pikërisht në shtrat, afër kufomës, dhe u ekzekutua nga banorët vendas. Në trupin e Panwar-it u panë shenja kafshimi në dorë dhe në këmbë, çka bëri që fillimisht rasti të trajtohej si një tragjedi aksidentale.
Hetimet ndryshuan kurs pasi babai i të ndjerit iu drejtua policisë, duke shprehur dyshime se nusja e tij qëndronte pas vdekjes së të birit.
Duke e hetuar më thellë, autoritetet zbuluan se shoferi i autobusit kishte vetëm tre muaj që punonte në shkollën e familjes dhe dyshohej se kishte nisur një marrëdhënie të fshehtë me bashkëshorten e viktimës.
Në përfundim, policia prangosi katër persona: gruan e viktimës, të dashurin e saj të pretenduar si dhe dy individë të specializuar në kapjen dhe trajtimin e gjarpërinjve. Këta të fundit akuzohen se siguruan zvarranikun helmues dhe e përdorën atë për të vënë në jetë planin makabër.
Çifti ishte martuar në vitin 2019 dhe vetëm tre muaj më parë kishte hapur qendrën e kujdesit për fëmijë, ku ishte punësuar edhe shoferi i autobusit.
Sipas shefit të policisë vendore, provat e deritanishme dëshmojnë se bëhet fjalë për një vrasje të paramenduar, të organizuar me përpikëri që të maskohej si një vdekje aksidentale e shkaktuar nga gjarpri.
