Edhe pse mbeten më shumë se dy vjet deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, hija e garës së vitit 2028 po bëhet gjithnjë e më e pranishme në kryeqytetin amerikan.
Të lidhura
None found
Figura të spikatura nga të dyja partitë kryesore po shtojnë daljet e tyre publike, po adresojnë çështje me peshë kombëtare dhe po masin pulsin në shtetet kyçe, ato që mendohet se do të jenë vendimtare në ciklin e ardhshëm elektoral.
Pyetja që dominon debatin politik është e qartë: kush do ta zërë vendin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë?
Meqenëse presidenti Trump po shërben mandatin e tij të dytë dhe kushtetuta e ndalon një të tretë, posti më i lartë në vend do të jetë i lirë, duke e kthyer vitin 2028 në një moment potencial për një riorientim të thellë politik për të dyja kampet.
Në radhët e demokratëve, një grup figurash po bëhen më të dukshme në arenën kombëtare. Ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris ruan një prani aktive politike, teksa deputetja Alexandria Ocasio-Cortez po konsolidon lidhjet e saj me bazën progresive të partisë.
Ndër emrat e tjerë që qarkullojnë janë guvernatorët JB Pritzker nga Illinois, Andy Beshear nga Kentucky dhe Josh Shapiro nga Pensilvania, bashkë me senatorin e Xhorxhias, Jon Ossoff. Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka zyrtarizuar një aspiratë për presidencën në vitin 2028. Edhe senatori i Arizonës, Mark Kelly, e ka lënë portën e hapur për një fushatë të mundshme.
Përballë tyre, te republikanët, të gjithë sytë janë te zv/presidenti JD Vance. Ai konsiderohet një pretendent i fuqishëm për të marrë nominimin e partisë, megjithëse një kandidim i tij do të zhvillohej nën peshën e trashëgimisë dhe ndikimit të Trump.
Një tjetër zë që nuk e fsheh ambicien për postin më të lartë është senatori Ted Cruz. Ai ka thënë hapur se synon presidencën, por ende nuk ka marrë një vendim final për 2028-ën. Në listën e potencialeve republikanë figurojnë gjithashtu guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, Ron DeSantis dhe senatori Rick Scott. Ndërsa senatori Rand Paul ka sinjalizuar se nuk e përjashton një tjetër përpjekje për Shtëpinë e Bardhë.
Arsyeja pse gara duket se ka filluar kaq herët lidhet ngushtë me ciklin elektoral. Zgjedhjet afatmesme të vitit 2026 u ofrojnë politikanëve me ambicie kombëtare një mundësi të artë për të krijuar lidhje me elektoratin, për të vënë në provë mesazhet e tyre dhe për të ngritur një rrjet mbështetjeje. Pasi të kalojë testi i nëntorit, këto lëvizje pritet të bëhen edhe më të dukshme, duke i shndërruar zgjedhjet e mesmandatit në një terren prove për ata që synojnë garën kryesore dy vjet më vonë.
Sigurisht, gjithçka është ende në fazën paraprake dhe shumë nga këta emra mund të tërhiqen pa hyrë fare në betejë. Ajo që ka ndryshuar dukshëm është ritmi i përgatitjeve: formacionet politike amerikane tashmë po mendojnë seriozisht për epokën pas Trump.
