Santa Marta, qytet bregdetar me pothuajse 570 mijë banorë, është përfshirë që nga e marta nga një gjendje tensioni. Kjo erdhi pas një operacioni 13-orësh të forcave të sigurisë, gjatë të cilit u vranë 13 pjesëtarë të grupit paramilitar Autodefensas Conquistadoras de la Sierra Nevada (ACSN), përfshirë një nga drejtuesit e tij. ACSN është një grup i ekstremit të djathtë që kontrollon rrugët e trafikut të drogës dhe merret me zhvatje.
Të lidhura
None found
Presidenti kolumbian, Abelardo de la Esperanza, urdhëroi dislokimin e ushtrisë në këtë qytet të veriut të vendit, në brigjet e Detit të Karaibeve, si përgjigje ndaj sulmeve që kishin goditur dyqanet dhe automjetet pas operacionit të forcave të sigurisë kundër një grupi të armatosur lokal. Në një mesazh me video, ai theksoi se “këta banditë pretendojnë se i kanë vënë zjarrin një pjese të madhe të bregdetit të Karaibeve, duke filluar nga Santa Marta, ku ata kërcënuan tregtarët, banorët dhe transportuesit”.
De la Esperanza sqaroi se ka “urdhëruar (…) përforcimin e menjëhershëm të pranisë së ushtrisë dhe policisë” dhe paralajmëroi se “kushdo që nuk nënshtrohet do të eliminohet”.
Në rrjetet sociale po qarkullojnë video ku shihen burra të armatosur me motoçikleta duke lëvizur nëpër rrugët e Santa Martës, duke qëlluar ndaj dyqaneve të hapura dhe duke djegur automjete që bllokojnë rrugët. Të mërkurën, zona të tëra të qytetit, një prej më të mëdhenjve në bregdetin kolumbian të Karaibeve, mbetën bosh mes thashethemeve për kufizime në tregti dhe lëvizje të vendosura nga organizata që mban nën terror rajonin.
Autoritetet njoftuan se rendi publik është ndryshuar në Santa Marta, Magdalena dhe disa zona të departamentit të La Guajira-s, si pasojë e operacioneve të fundit ushtarake në këto territore.
Një zëdhënës i policisë tha për AFP-në se dje forcat e rendit shtuan praninë në zonat tregtare, duke dislokuar njësi të specializuara në luftën kundër zhvatjes dhe forca speciale.
Trupat ushtarake u vendosën gjithashtu përgjatë rrugës që lidh Santa Martën me departamentin e La Guajira-s, i cili kufizohet me Venezuelën dhe ku vepron edhe ACSN.
Presidenti de la Esperanza, ish-avokat milioner i mbështetur nga SHBA-ja e Donald Trump, mori detyrën në gusht. Politikani i ri i së djathtës ekstreme ka premtuar goditjen e grupeve të armatosura të përfshira në trafikun e kokainës. Kolumbia është prodhuesi kryesor i kokainës në botë.
