Irani bëri të ditur se ka arritur dakordësi me Omanin për krijimin e një korridori detar përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa bisedimet për këtë marrëveshje ndodhen në përfundim.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha se palët kanë përcaktuar koordinatat gjeografike të itinerarit të ri detar, pa dhënë të dhëna të mëtejshme rreth projektit.
Sipas zëvendësministrit të Jashtëm, Kazem Gharibabadi, korridori do të ketë karakter të përkohshëm dhe parashikohet të jetë funksional për dy deri në katër muaj.
Autoritetet iraniane, megjithatë, nënvizuan se marrëveshja nuk siguron lundrim të garantuar. Teherani ia atribuoi mungesën e sigurisë në zonë bllokadës detare amerikane ndaj porteve të Iranit.
Ngushtica e Hormuzit është një nyje thelbësore për transportin botëror të energjisë, pasi nëpër këtë kalim detar qarkullon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Pas përshkallëzimit të përplasjes mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, lëvizja e anijeve në këtë hapësirë është reduktuar ndjeshëm. Ndërkohë, Irani ka vendosur kontrolle të rrepta për kalimin e mjeteve lundruese.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet së shpejti. Teherani, në anën tjetër, mohon se po negocion me SHBA-në për këtë çështje, edhe pse raportimet flasin për përparime lidhur me rikthimin e transportit detar.
Një prej mosmarrëveshjeve kryesore mbetet kërkesa iraniane për vendosjen e tarifave mbi anijet që përdorin Ngushticën e Hormuzit.
Raportohet se Irani kërkon një pagesë në masën 5–7% të vlerës së ngarkesës, ndërsa Omani ka propozuar afërsisht 3%. Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo lloj tarife.
