Në Kuopio të Finlandës po mbahet stërvitja më e madhe e mbrojtjes civile e organizuar në vend që nga Lufta e Dytë Botërore. Në të janë angazhuar më shumë se 2 mijë vullnetarë dhe studentë, ndërsa synimi është të provohet reagimi i qytetarëve dhe autoriteteve përballë një krize të rëndë.
Të lidhura
None found
Sipas skenarit të ushtrimit, vendi përballet me sulme kibernetike kundër infrastrukturës kritike, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe me rrezikun e sulmeve me raketa nga Rusia.
Trajnimi parashikon gjithashtu përdorimin e strehimoreve nëntokësore. Për nevojat e stërvitjes është përshtatur një strehimore në Kuopio, kapaciteti i së cilës arrin deri në 7 mijë persona.
Një ndër synimet kryesore është që qytetarët të mund t’i përballojnë në mënyrë të pavarur situatat e jashtëzakonshme për të paktën 72 orë, nëse ndërpriten energjia, uji ose shërbime të tjera.
Në aktivitet janë përfshirë edhe fëmijë dhe nxënës, të cilët udhëzohen se çfarë duhet të bëjnë gjatë një emergjence. Autoritetet finlandeze nënvizojnë se siguria e vendit nuk varet vetëm nga forcat ushtarake, por edhe nga aftësia e popullsisë për të reaguar në kohë krize.
Finlanda ndan me Rusinë një kufi më të gjatë se 1,300 kilometra dhe është pjesë e NATO-s që prej vitit 2024. Lufta në Ukrainë ka ndikuar që autoritetet finlandeze t’i intensifikojnë më tej masat e përgatitjes civile dhe ushtarake.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, autoritetet kanë evidentuar shtim të incidenteve kibernetike dhe të rasteve të dyshimta pranë infrastrukturës energjetike. Megjithatë, jo të gjitha këto ngjarje janë lidhur me Rusinë.
