Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi u godit me kamxhik 74 herë të hënën, për shkak të një performance ku u shfaq pa hixhabin e detyrueshëm, bëri të ditur avokati i saj, Mostafa Nili. Lajmi u raportua nga organizata Iran Human Rights (IHRNGO), duke iu referuar CNN-it.
Sipas njoftimit të IHRNGO-s në X, i cili citonte Nilin, edhe katër persona të tjerë nga ekipi i koncertit morën të njëjtin dënim, nga 74 goditje secili.
Të lidhura
None found
Dënimi u zbatua në Njësinë për Ekzekutimin e Dënimeve të Prokurorisë së Qomit. Përveç Ahmadit, goditjet iu dhanë organizatorit të koncertit, Mohsen Lashkari, si dhe muzikantëve Soheil Faghih-Nasiri, Amin Taheri dhe Amir-Ali Pirnia.
Ngjarja lidhet me videon e “Koncertit Karavanserai” të Ahmadit, e publikuar në internet. Performanca ishte filmuar në dhjetor të vitit 2024 në karavanserain historik Deir-e Gachin, pranë Qomit, qytet i shenjtë shiit me shumë medrese islame dhe që njihet si bastion i konservatorizmit fetar. “Karavanserai” është fjala persiane për bujtinat e lashta të fortifikuara, ku ndalonin udhëtarët dhe tregtarët.
Në pamjet e koncertit, ku nuk kishte spektatorë, Ahmadi këndon së bashku me muzikantë meshkuj. Ajo shihet me një fustan të gjatë e të zi, pa mëngë, dhe me flokët të pambuluara, në kundërshtim me ligjet iraniane për hixhabin e detyrueshëm.
Drejtori i IHRNGO-s, Mahmood Amiry-Moghaddam, i tha CNN-it se mënyra e veshjes së këngëtares ndikoi ndjeshëm në dënimin e saj. Ai shtoi se ndjekja penale lidhej gjithashtu me faktin që ajo kishte kënduar publikisht dhe, në një kuptim më të gjerë, kishte sfiduar autoritetet e Iranit.
Pas publikimit të videos, agjencia Mizan, e lidhur me gjyqësorin iranian, njoftoi se ishte hapur çështje ndaj Ahmadit dhe pjesëtarëve të ekipit të produksionit për organizimin e një “koncerti të paligjshëm”. Sipas agjencisë, shfaqja nuk përputhej me “standardet ligjore dhe fetare” të vendit.
Pesë personat u shpallën fajtorë nga një gjykatë për “cenimin e moralit publik”, përmes krijimit dhe shpërndarjes online të përmbajtjeve të cilësuara si vulgare dhe imorale. Krahas goditjeve me kamxhik, atyre iu ndalua për dy vjet të merreshin me veprimtari artistike e muzikore dhe të udhëtonin jashtë vendit. Në shtator, gjykata e apelit e konfirmoi vendimin.
Amnesty International e përshkruan goditjen me kamxhik si ndëshkim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues. Në një raport të vitit të kaluar, organizata për të drejtat e njeriut akuzoi autoritetet iraniane se po shtojnë përdorimin e ndalimeve arbitrare, ndjekjeve penale dhe goditjeve me kamxhik ndaj këngëtarëve, gazetarëve dhe aktivisteve për të drejtat e grave që kundërshtojnë mbulimin e detyrueshëm të kokës.
Presioni ndaj artisteve femra në Iran vazhdon. Në shkurt të vitit 2025, këngëtarja Hiva Seyfizadeh interpretoi muzikë tradicionale iraniane në Teheran dhe më pas u dënua nga një gjykatë e shkallës së parë me katër vjet burg për “nxitje të korrupsionit dhe prostitucionit”.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale në gusht, Seyfizadeh tha se kishte kënduar vetëm disa vargje të Saadi Shirazit, poetit të njohur persian të shekullit XIII. Ajo vuri në dyshim se si interpretimi mund të përbënte nxitje të korrupsionit apo prostitucionit dhe deklaroi se do ta apelojë vendimin.
Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende koment për raportimet mbi zbatimin e dënimeve me kamxhik.








