Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) po forcon pozitat e saj në skenën politike gjermane, ndërsa partitë tradicionale, veçanërisht CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz, po përballen me rezultate gjithnjë e më të dobëta në zgjedhjet e landeve.
Të lidhura
None found
Në zgjedhjet e 20 shtatorit në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, AfD u rendit e para me afërsisht 37% të votave, duke lënë pas Social Demokratët, të cilët morën rreth 35.5%. CDU-ja e drejtuar nga Merz siguroi vetëm rreth 5.5%, një rezultat që, nëse konfirmohet përfundimisht, do të ishte më i dobëti i saj në një zgjedhje landesh që prej vitit 1949.
Ndryshe paraqitet situata në Berlin, ku E Majta fitoi rreth 24.5% të votave dhe doli forcë e parë. CDU-ja mori rreth 20%, ndërsa AfD arriti gati 16%, duke u rritur ndjeshëm nga 9.1% që kishte marrë në zgjedhjet e mëparshme.
Këto zhvillime pasuan zgjedhjet e zhvilluara vetëm dy javë më herët në Saksoni-Anhalt. Atje, AfD mori 43.8% të votave, kundrejt 17.2% të CDU-së, dhe fitoi 39 nga 83 mandatet, duke iu afruar shumicës absolute.
Friedrich Merz e cilësoi rezultatin në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore si një “katastrofë”. Megjithatë, kancelari tha se nuk kishte ndërmend të largohej as nga posti dhe as nga programi i reformave. Në mbështetje të tij janë shprehur publikisht tetë kryeministra landesh të CDU-së.
Forcimi i AfD-së nuk shpjegohet vetëm me qëndrimet e saj për emigracionin. Në qendër të shqetësimeve të votuesve janë edhe shtrenjtimi i jetesës, çmimet e energjisë dhe karburanteve, pasiguria në punësim si dhe problemet e industrisë gjermane.
Instituti ekonomik gjerman IW ka rritur parashikimin për rritjen e ekonomisë gjatë vitit 2026, duke e çuar atë në rreth 1.2%. Pavarësisht kësaj, instituti ka paralajmëruar se kostot e larta të energjisë, niveli i ulët i investimeve private, humbja e vendeve të punës dhe inflacioni mbi 2.5% vazhdojnë të rëndojnë fuqinë blerëse të familjeve.
Industria automobilistike është ndër sektorët që po ndien më fort këto vështirësi. Volkswagen ka nisur një ristrukturim të gjerë, ndërsa Bosch ka parashikuar deri në 13 mijë shkurtime vendesh pune në divizionin e automobilave. Në të njëjtën kohë, Porsche, Mercedes-Benz dhe BMW po përballen me kosto të larta prodhimi, konkurrencë në rritje nga Kina dhe ndryshimet teknologjike në këtë industri.
Problemet ekonomike janë veçanërisht të ndjeshme në ish-Gjermaninë Lindore. Edhe pse diferencat në paga dhe punësim janë ngushtuar që prej ribashkimit të vendit, pasuria mesatare neto e familjeve në Lindje vazhdon të jetë rreth gjysma e nivelit të familjeve në Gjermaninë Perëndimore.
Një faktor që ka ndihmuar në rritjen e vëmendjes ndaj AfD-së është edhe mbështetja e hapur e Elon Musk.
Në dhjetor 2024, Musk shkroi në platformën X se “vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Një muaj më pas, në janar 2025, ai zhvilloi në të njëjtën platformë një bisedë të drejtpërdrejtë me lideren e partisë, Alice Weidel, dhe u kërkoi gjermanëve ta mbështesnin AfD-në. Më vonë, ai iu drejtua një tubimi të partisë në Halle përmes një videoje.
Pas rezultatit të AfD-së në Saksoni-Anhalt më 6 shtator, Musk komentoi një postim të Weidel me shprehjen gjermane “Gut gemacht!”, që në shqip përkthehet “Bravo”.
Ulrich Sigmund, kandidati i AfD-së, e falënderoi publikisht biznesmenin amerikan për mbështetjen. Ai foli gjithashtu për mundësinë e një bashkëpunimi në të ardhmen, veçanërisht për krijimin e kushteve më të favorshme për investimet private në Gjermani.
Roli i Musk merr peshë të veçantë edhe për shkak të lidhjeve të tij me sektorin automobilistik. Tesla operon me një fabrikë prodhimi në Grünheide, pranë Berlinit, ndërsa kompania ka planifikuar zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e prodhimit në Gjermani.
Pavarësisht ekspozimit publik që Musk i ka dhënë AfD-së, nuk ka të dhëna që tregojnë se sa votues janë ndikuar drejtpërdrejt nga mbështetja e tij. Gjithashtu, nuk është bërë i ditur ndonjë donacion financiar i dokumentuar prej tij për partinë.
Rezultatet e fundit sugjerojnë se AfD nuk është më një forcë e kufizuar vetëm në territorin e ish-Gjermanisë Lindore. Baza e saj elektorale është zgjeruar dhe, sipas të dhënave të cituara nga Reuters para zgjedhjeve të 20 shtatorit, partia renditej në sondazhet kombëtare mes 27% dhe 29%, ndërsa CDU-ja kishte 18%-20%.
Megjithatë, AfD vazhdon të mbetet jashtë bashkëpunimit me partitë kryesore të vendit. Qëndrimet e saj për emigracionin, marrëdhëniet me Rusinë, Bashkimin Evropian dhe euron janë ndër arsyet që partitë e tjera kanë përmendur për të justifikuar refuzimin e çdo bashkëpunimi politik.
Rezultati në Berlin dëshmon se zhvendosja e elektoratit nuk po shkon vetëm drejt së djathtës. E Majta doli e para në kryeqytet, ku strehimi dhe rritja e qirave ishin ndër temat kryesore të fushatës.
Për kancelarin Friedrich Merz, rezultatet e fundit përkthehen në presion të shtuar mbi qeverinë. Gjermania po përballet njëkohësisht me vështirësi ekonomike, probleme në industrinë e automobilave, debate të forta mbi emigracionin dhe pasiguri në sektorin energjetik.
Ndërsa AfD po ndërton një mbështetje më të gjerë elektorale, ende nuk është e qartë se si kjo forcë do të ndikojë në funksionimin e sistemit politik gjerman, për sa kohë partitë e tjera vazhdojnë ta përjashtojnë mundësinë e bashkëpunimit me të.
