Një avion privat ka dalë nga pista gjatë procesit të uljes në aeroportin e Misratës, në Libi, duke u përfshirë më pas nga flakët. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës, 14 shtator, dhe shkaktoi alarm në aeroport.
Të lidhura
None found
Avioni ishte një Cessna 680A Citation Latitude, që raportohet se është në pronësi të miliarderit dhe biznesmenit turk Hamdi Akin. Ministria libiane e Transportit bëri të ditur se incidenti nuk shkaktoi viktima apo të lënduar.

Mjeti fluturues po shkonte drejt Libisë për të marrë pasagjerë, ndërsa në bord ndodheshin vetëm piloti dhe një pjesëtar i ekuipazhit. Të dy personat dolën nga avioni pa pësuar dëmtime.
Menjëherë pas daljes nga pista, avioni u përfshi nga zjarri dhe një sasi e madhe tymi të zi u ngrit mbi aeroport. Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë në vendngjarje dhe punuan për shuarjen e flakëve.

Agjencia Libiane e Lajmeve (LANA) raportoi se si pasojë e incidentit u pezulluan fluturimet në aeroportin e Misratës.
