Zohran Mamdani, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar opsionet ligjore që autoritetet e qytetit të kenë mundësi të ndalojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në rast se ai udhëton drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara gjatë muajit shtator.
Të lidhura
None found
Gjatë një bisede me gazetën “The New York Times”, Mamdani sqaroi se tema është pjesë e një “diskutimi aktiv” me sektorin ligjor të bashkisë, por nuk ripohoi premtimin e dhënë më herët se do të jepte urdhër për arrestimin e Netanyahut.
“Jam i bindur që kryeministri Netanyahu duhet të jetë në Hagë. Ai është një kriminel lufte që po përballet me një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Çdo gjë që më lejon ligji të bëj në Nju Jork, ne do ta bëjmë”, u shpreh Mamdani.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale nxori një urdhër-arrest për Netanyahun, bazuar në akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit në Gaza. Izraeli i ka hedhur poshtë si akuzat, ashtu edhe autoritetin e kësaj gjykate.
Një iniciativë e mundshme nga ana e autoriteteve të Nju Jorkut për të vënë në jetë këtë urdhër-arrest do të haste në sfida të rëndësishme juridike. Shtetet e Bashkuara nuk janë nënshkruese e Statutit të Romës, i cili krijoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale, dhe rrjedhimisht nuk e njohin juridiksionin e saj.
