Administrata e Donald Trump ka vendosur të ridrejtojë dhjetëra miliona dollarë nga programet amerikane të asistencës ushtarake për vendet e Evropës dhe Lindjes së Mesme, me synimin për të mbështetur qeveritë me orientim konservator në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit që Departamenti i Shtetit i dërgoi Kongresit të martën, 52 milionë dollarë do të transferohen nga fondet e destinuara për financimin e ushtrive të huaja në Sllovaki, Maqedoni të Veriut, Tunizi dhe Irak. Këto fonde do t’u jepen Panamasë, Perusë, Ekuadorit dhe Kolumbisë, raportoi AP.
Vendimi vjen pasi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, vizitoi javën e kaluar Kolumbinë, Ekuadorin dhe Perunë, ku premtoi mbështetje shtesë. Lëvizja është pjesë e përpjekjeve të fundit të administratës për të ulur ose riorientuar fondet, si edhe për të zhvendosur trupa nga Evropa, pas kritikave të presidentit Donald Trump ndaj aleatëve të NATO-s për shpenzimet e pamjaftueshme në mbrojtje dhe fusha të tjera.
Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia janë vende anëtare të NATO-s.
Rialokimi i parave nuk nënkupton ndërprerjen e plotë të financimit ushtarak për Tunizinë, Irakun, Maqedoninë e Veriut dhe Sllovakinë. Megjithatë, ende nuk dihet se sa do të jetë shuma e mbetur për secilin prej këtyre shteteve.
