Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas monologut të kryeministrit Edi Rama për librin “Albanian Files”, duke e paraqitur këtë botim si provë të mungesës së transparencës dhe duke kërkuar hetim për origjinën e financimeve të projekteve të përfshira aty.
Në një mesazh me video drejtuar qytetarëve, Berisha vuri theksin te 523 projektet e paraqitura në libër. Ai ngriti dyshime për mënyrën si janë financuar dhe kërkoi që Eurojust, Europol dhe Interpol të bëjnë verifikime për burimin e pagesave të kryera për studiot dhe projektet.
Të lidhura
None found
Sipas Berishës, libri nuk pasqyron arritjet e qeverisë, por një model qeverisjeje ku vendimmarrja, sipas tij, është përqendruar te kryeministri. Ai theksoi gjithashtu se botimi nuk jep sqarime për çështjet që lidhen me transparencën dhe me financimin e projekteve.
Kreu i PD-së hodhi edhe akuza për konflikt interesi, teksa përmendi zonën e Kanionit të Gjipesë. Për këtë rast, ai pretendoi se ligjet janë shkelur në dobi të interesave familjare të kryeministrit.
Në mbyllje të reagimit të tij, Berisha u ndal edhe te programi i paralajmëruar “Rilindja Urbane 2.0”, për të cilin u shpreh se do të sjellë shpenzime të tjera publike, duke përsëritur akuzat e opozitës për mënyrën se si përdoren fondet shtetërore.
