Mbledhja e grupit parlamentar të Sali Berishës sapo ka përfunduar dhe ish-kryeministri ka dalë në një konferencë me gazetarët.
Mësohet se gjatë mbledhjes është vendosur ndër të tjera që të vazhdohen negociatat me Gazment Bardhin dhe grupin e tij, për të bërë të mundur një bashkim të dy palëve.
Të lidhura
None found
“E vërteta është që grupi me unanimitet të plotë, pas diskutimit të secilit, të çdo anëtari, ishte i mendimit që të vazhdojnë negociatat me deputetët e tjerë, me Gaz Bardhin, kryetarin e grupit dhe të tjerë, me qëllimin më të mirë, arritjen e një bashkimi.
Kjo pasi konstatohet se ky vullnet ekziston nga të gjitha palët, dhe unë e quaj këtë vendim të grupit, një vendim në vlerësimin tim, të drejtë, në përputhje me interesat e PD-së, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj.
… Me zotin Bardhi dhe çdo deputet tjetër, përveç Alibashës dhe Lul Pengut, kjo parti është dhe do jetë e hapur për diskutim. Dhe nuk ka kush pse të ma dijë për nder se është partia e demokratëve.
Ata të dy e kanë nxjerrë veten jashtë, janë shndërruar në pengje të Edi Ramës.
… Çdo propozim që vjen nga ata që vendosin të punojnë mbi baza realiste për pajtimin dhe bashkimin, konsiderohet me seriozitet. Çdo propozim vlerësohet dhe konsiderohet me seriozitet të madh.
… Se çfarë përfaqëson Basha, është bërë e qartë për çdo qytetar shqiptar. Ai përfaqëson mirëfilltas një peng të Edi Ramës, me qëllime të caktuara. Por pozitivja është se nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar se ai është pengu i Edi Ramës. Ai dhe një grup i vogël që e ndjekin, janë të zbrazur nga çdo lloj integriteti moral, politik, etj.
Pengu përfaqëson mjeranin, njeriun më të mjerë”, tha Berisha.
