Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për median greke “Kathimerini” se nuk e sheh dorëheqjen si një opsion, pavarësisht protestave të dhunshme që janë zhvilluar gjatë javëve të fundit në Tiranë. Ai tha se duhet bërë dallimi mes studentëve që kërkojnë përmirësimin e së ardhmes së tyre dhe grupeve të protestuesve me kapuçë, ku përfshiu edhe persona që, sipas tij, kanë lidhje me lëvizjen Antifa.
“Një pakicë beson se vënia e vendit në zjarr është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, u shpreh Rama.
Të lidhura
None found
I pyetur për kërkesat e protestuesve lidhur me arsimin, korrupsionin dhe koston e jetesës, kryeministri pranoi se jo gjithçka në Shqipëri është bërë siç duhet. Ai theksoi se të rinjtë nuk duhet të kënaqen me rezultatet e arritura deri tani dhe se shqetësimet për arsimin, shpenzimet e jetesës dhe mungesën e mundësive konkrete janë të drejta dhe kërkojnë zgjidhje të rëndësishme.
Rama bëri të ditur se buxheti i vitit 2027, që pritet të paraqitet së shpejti, do të përmbajë masa të tjera në mbështetje të familjeve, shërbimeve publike dhe studentëve. Ai tha gjithashtu se ka ftuar studentët dhe mësuesit në një dialog të hapur, duke shtuar se është i gatshëm të marrë në shqyrtim çdo propozim serioz, përfshirë edhe ato të kundërshtarëve më të ashpër të qeverisë.
Sipas kryeministrit, ndarja mes studentëve që synojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të maskuara është e qartë. Ai pretendoi se këto grupe, mes të cilave përmendi persona të lidhur me Antifa-n, kanë hedhur kokteje Molotov, kanë sulmuar godina publike dhe kanë dëmtuar prona private.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Rama tha se kjo është detyrë e institucioneve të Drejtësisë dhe jo e personave që përdorin dhunën për të pretenduar se flasin në emër të një brezi të tërë.
I pyetur drejtpërdrejt nëse planifikon të largohet nga detyra, ai u përgjigj: “Jo”. Rama argumentoi se në një demokraci qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes koktejeve molotovë. Ai kujtoi se populli shqiptar i dha qeverisë një mandat të qartë vitin e kaluar dhe se synon ta përmbushë atë.
Kryeministri shtoi se kërkesa për dorëheqjen e tij është pjesë e debatit demokratik dhe mund të bëhet nga kushdo, por askush nuk mund ta detyrojë të largohet me forcë. Ai tha se përgjegjësia e tij është të dëgjojë ankesat e arsyeshme, të garantojë të drejtat e qytetarëve dhe të vijojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Unë nuk do të devijoj nga kjo detyrë sepse një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, përfundoi Rama.






