Thonë se ëndrra e çdo aktori është të vdesë në skenë. Nëse kjo është e vërtetë, mund të thuhet Aleko Prodani e realizoi këtë ëndërr. Ai ndërroi jetë në skenën e Teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës më 2 maj 2006, duke interpretuar rolin e Aldos ne komedine Tre burra per nje grua te Dario Fo-se.
“Bëmë gjithçka për ta zgjuar nga gjumi i thellë i atij çasti”, tregon Petrika Riza, por me sa duket goditja kishte qenë e fuqishme. Nuk na la asnjë mundësi për t’i dhënë ndihmën mjekësore.
Mbaroi në skenë. E çuam në spital, por gjithçka kishte marrë fund. Mjekët konfirmuan vdekjen e tij. Dhe e gjitha kjo ndodhi në provat gjenerale, si për të treguar se Aleko Prodani ishte gjeneral i skenës.
Në vitin 1961 ai u bë bashkëthemelues i Estradës së Ushtarit, ku edhe u formua si aktor, gjatë një stazhi gjashtë vjeçar. Më pas u emërua aktor në Estradën e Korçës, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Për shkak të “biografisë së keqe” e largojnë nga Estrada, pas Plenumit IV dhe e dërgojnë për “riedukim në prodhim”. Por burokratët komunistë u bënë shpejt të vetëdijshëm se zbrazëtia që ai kishte lënë pas vetes në Estradën e Korçës, nuk mund të mbushej kurrsesi. Pas rikthimit në Estradë, fillon për të një periudhë e artë. Interpreton në rreth 60 premiera të Estradës së Korçës, ku shquhet për aftësi të rralla në të gjitha zhanret.
Për 15 vjet (1980 – 1995) bëhet njeriu kyç i kësaj trupe. Është autor i libreteve, regjisor dhe aktor kryesor në 30 premiera, e dhjetra skeçe e komedi me një akt që shfaqen edhe në TVSH në programet e Vitit të Ri. Nën drejtimin e Prodanit, në vitet ’80, Estrada e Korçës bëhet më e mira në vend.
Cilësitë e tij të rralla bëhen të kërkuara edhe në Teatrin “A. Z. Çajupi”, ku interpreton rreth 20 role në komedi. Pas sukseseve në teatër, arrin të tjera në kinematografi, ku interpreton në tri kinokomedi, si edhe TV, ku interpreton në një seri spektaklesh dhe telekomedish. Këto arritje i japin, më 1992, titullin “Artist i Merituar”. Ka fituar tri herë rresht, në tri pjesëmarrje, çmimin për aktorin joprotagonist në Festivalin e Aktrimit në Fier, në edicionet 2003, 2004 e 2005.
Filmografia
Kronikë provinciale (2009) i xhiruar më 2005 para se të vdiste
Borxhliu – (1999) (TV)
Dashuri në krisma – (1997)
Zëvendësi i grave – (1987) … shoku Miti
Dy herë mat – (1986)………. shoku Kopi