Mjeku gjinekolog, Rustem Celami thotë se në vendin tonë po vijnë gra 60-vjeçare nga Anglia dhe vendet nordike, për të pasur një shtatëzani me fertilizim in vitro.
Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Celami u shpreh se ka edhe gra nga vende si Moldavia dhe Gjeorgjia, të cilat kanë ardhur në Shqipëri për t’u bërë nënë surrogate.
“Faktikisht, është një ligj i vitit 2000, është një ligj i riprodhimit, të shëndetit riprodhues. Nuk është përditësuar siç duhet, ka nevojë për një ndërhyrje. Nuk kanë qenë të interesuar edhe ato politikbërësit apo ekspertët, por kërkohet një ndërhyrje rigoroze. Duhet një ligj jashtëzakonisht strikt, sepse faktikisht po ndodh.
Po vijnë shumë femra nga Anglia apo nga vendet nordike që janë në moshë që nuk i lejon ligji për të pasur një fëmijë, janë 60 vjeçe. Vijnë për të pasur një shtatëzani me fertilizim in vitro. Kemi më shumë të huaja që vijnë nga Moldavia, Gjerogjia, nga vende të tjera që kanë nevoja ekonomike. Ka një kosto, rreth 30 mijë, 40 mijë euro për të paguar një nënë surrogate.”, theksoi ai.