Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e sotme ka takuar nga afër disa të rinj të Vaut të Dejës ku ka folur lidhur me problematikat e infrastrukturës shkollore dhe mangësitë e mësimin online.
“Nuk jam përfshirë në politik asnjëherë, por këtë herë e ndjeva të arsyeshme që të përfshihem tek Partia Demokratike, duke parë që qeveria aktuale gjatë këtyre 8 viteve nuk ka pasur një program, një alternativë të mirë për punësimin e të rinjve. Ju zoti kryetar, pas datës 25 prill që do të jeni kryeministër i Shqipërisë, cili është programi juaj për punësimin e të rinjve, që mos të ikin çdo ditë e më shumë, por të qëndrojnë dhe të jemi në vendin këtu.” – tha një nga përfaqësuesit e të rinjve.
Basha tha se problemet me arsimin janë shkak i mos trajtimit dinjitoze të arsimtarëve dhe keqpërdorimit të fondeve për këtë sektor dhe keqqeverisjes në përgjithësi. Sipas tij, kjo shikohet në mbylljen e rreth 400 shkollave për shkak të neglizhencës dhe shpopullimit të vendit. Ai tha se plani i Partisë Demokratike parashikon rritje pagash, rritje fondesh për arsimin dhe krijimin e kushteve që nxënësit dhe studentët të kenë mundësi për të zhvilluar mësimin online.
Kreu i opozitës përsëriti se pjesë e planit është edhe krijimi i vendeve të punës me paga dinjitoze për të gjithë studentët pas diplomimit, e cila do të arrihet në bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve Europiane. Mbështetje me bursa do të ketë edhe për studentët që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u shkolluar.
“Me qeverinë tonë paratë nuk do të shkojnë te oligarkët por do t’ju marrim ju në punë që në këtë orë shtesë të trajnoni fëmijët e shqiptarëve që të mësojnë të huaj, të mësojnë kompjuterin, të mësojnë një degë të artit apo një vegël muzikore, të angazhohen në sport dhe të kenë një vakt të paguar nga buxheti i shtetit nga taksat e prindërve të tyre dhe ky është pa diskutim një lehtësim shumë i madh dhe një konceptim, një ri konceptim evropian i sistemi tonë të para universitar e kam fjalën për shkollën nëntë vjeçare dhe shkollën e mesme. Kur vjen puna tek arsimi universitar, problemi ynë kryesor filloi me ligjin e ri për arsimin e lartë që centralizoi gjithçka në duart e ministrit të arsimit dhe të kryeministrit ndërkohë që nuk u dha asnjë lek për të mbuluar detyrimet që u ngarkonte. Kush i paguan dëmet e shkaktuara nga ky ligj, pedagogët, studentët, prindërit tuaj.
Ai e ka mendjen të sjelli punëtorë nga Bangladeshi, ndërsa unë jam i vendosur të sjell investitorë nga Gjermania, nga Austria, nga Evropa për të punësuar dhe për të mbajtur rininë e Vaut të Dejës, rininë Shkodrane, rininë Shqiptare këtij në vendin e tyre pranë familjeve të tyre. Këto janë 3 shtyllat kryesore me anë të cilave ne do të mundësojmë që rinia shqiptare të ketë të gjitha mundësitë të arsimohet dhe të punësohet në vendin e vet me paga të mira, me dinjitet dhe të shijojë jetën e të ndërtojë këtu të ardhmen e vet duke përfshirë familjen. Dhe tek ndërtimi i familjes po kështu kemi parashikuar dy masa. Masa e parë ka të bëjë me strehimin. Një nga problemet kryesore të çifteve të reja është që nuk sigurojnë dot një banesë, edhe po pate fatin e mirë të sigurosh një vend pune fjala bie në Shkodër, apo në Lezhë, apo në Tiranë. Çmimet e qirave janë më të larta, ndërsa të blesh një banesë është bërë çmendurisht e papërballueshme.
Plani ynë parashikon qartë, që për të gjitha familjet që kanë të ardhura më pak se 64.000 lekë të vjetra në muaj, shteti do të subvencionojë 100% tarifat për bachelor dhe për master dhe për ata që i kanë të ardhurat mbi 64.000 lekë, do t’i presë gjysmë për gjysmë që asnjë shqiptare, asnjë shqiptar të mos futet në borxh për të shkolluar fëmijët e tyre.” – tha Basha.