Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat, bëri me dije se PS do ti kërkojë kryetares së kuvendit shtyrjen e konferencës së kryetarëve, që do të diskutonte mbi agjendën parlamentare të zgjedhjes së presidentit.
Sipas Ballës, kjo shtyrje bëhet për ti dhënë më shumë kohë grupeve parlamentare të opozitës, që të mund të bëhen pjesë e procesit, pavarësisht përplasjeve të brendshme të momentit në Partinë Demokratike.
Balla shtoi se raundi i parë i votimit për presidentin do të jetë brenda datës 10 maj, ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve, është shtyrë me 6 ditë, nga data 29 Prill, në datën 4 Maj.
“Na kanë kërkuar që të kenë pak më shumë kohë në dispozicion, një spostim me disa ditë, të mbajtjes së konferencës së parë të kryetarëve, ideja është që konferenca e parë e kryetarëve të nisë në 4 Maj, dhe jo më vonë se data 10 Maj, të ishte mbajtja e raundit të parë të votimit të Presidentit të Republikës.
Kjo shtyrje i shërben të gjitha grupeve parlamentare, për të qartësuar brenda vetes pozicionin, Kushtetuta e ka parashikuar qartë dialog në 3 raundet e para.
Të gjitha grupet parlamentare të marrin kohën e nevojshme për të dialoguar, ne hyjmë në negociata me 3 grupet, me dëshirën për t’i dhënë vendit një president të të gjithë shqiptarëve”, tha Balla./albeu.com