Bajram Begaj në kremtimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, Presidenti: Ky shtet është dëshmi e gjallë se liria nuk falet

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë shtetërore të organizuar në Prishtinë me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

Në fjalën e tij, Begaj e cilësoi një nder dhe emocion të veçantë të jetë mes qytetarëve të Kosovës në këtë ditë historike. Ai theksoi se 12 qershori është një datë e gdhendur në memorien historike të kombit, kur triumfoi liria mbi padrejtësinë dhe shpresa mbi frikën.
Presidenti vlerësoi sakrificën e mijëra burrave dhe grave, luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve strategjikë, duke përfshirë SHBA-në, NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai nderoi kujtimin e dëshmorëve të lirisë, familjeve që mbajtën peshën më të rëndë të luftës, si dhe figurat historike të shtetësisë së Kosovës, përfshirë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin dhe Adem Demaçin.

Të lidhura

None found

Begaj gjithashtu u shpreh mbështetës i fuqishëm i të drejtës së UÇK-së, duke dënuar çdo tentativë për të rishkruar historinë dhe duke ritheksuar se ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë nuk ishin agresorë.
“Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të të njëjtit komb, të lidhura nga një vëllazëri e pandarë. Sot marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë më të forta se kurrë dhe shërbejnë si spirancë stabiliteti, paqeje dhe sigurie në rajon,” deklaroi Begaj.
Presidenti theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në Kosovë, mbështetjen e integrimit në NATO dhe BE, si dhe detyrimin për të transmetuar këtë trashëgimi të vyer te brezat e rinj.
Ceremonia përmbylli mesazhin e fuqishëm të unitetit dhe mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën, duke përcjellë urime për popullin dhe institucionet e saj.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi i dëshmorëve! Lavdi përjetë! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, FSK-në dhe institucionet e saj! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe miqtë e tij! Urime 27-vjetori i Çlirimit!” përfundoi Presidenti Begaj.
Fjala e plotë:
Është një nder i veçantë dhe një emocion i thellë për mua sot të jem mes jush në këtë tokë të lirisë për të kremtuar së bashku 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
12 Qershori është një datë e gdhendur përgjithmonë në memorien historike të kombit tonë. Kjo është dita kur triumfoi liria mbi aparteidin, shpresa mbi frikën dhe e drejta mbi padrejtësinë gjenocide.
Liria e Kosovës erdhi si produkt i sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, aleatëve dhe partnerëve tanë, të cilët u rreshtuan në anën e duhur të historisë.
Sot, ne përulemi me mirënjohje të pakufishme përpara dëshmorëve të lirisë, përpara prindërve dhe familjeve që mbajtën peshën më të rëndë të luftës. Njëkohësisht, nderojmë kujtimin dhe trashëgiminë e arkitektëve të shtetësisë së Kosovës, në krye me Presidentin historik, Ibrahim Rugova, vizioni dhe urtësia e të cilit ndërtuan themelet demokratike dhe orientimin e palëkundur perëndimor të këtij shteti.
Nderojmë sot kryetrimin dhe kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe familjen e tij, dhe të gjithë luftëtarët e lirisë.
Nderojmë sot rezistencën e Adem Demaçit.
Në këtë ditë feste dhe reflektimi, mendja dhe zemra është edhe në Hagë, aty ku krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me një tjetër betejë, në një proces që rëndon si një padrejtësi e madhe historike. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po paguajnë një çmim të lartë për të mbrojtur dinjitetin e një lufte që ishte e pastër, e drejtë dhe çlirimtare. Nga ky podium sot, ne u dërgojmë mesazhin e mbështetjes dhe vëllazërisë, se asnjë gjykatë dhe asnjë tentativë për të rishkruar historinë nuk mund ta tjetërsojë të vërtetën e madhe: UÇK-ja nuk ishte agresori, por mburoja e një populli që po shfarosej. Besojmë fort se drejtësia do të triumfojë dhe ata do të kthehen fitimtarë në Kosovën e tyre të lirë!
Për Shqipërinë, liria dhe shtetësia e Kosovës mbetet një ndër arritjet më të mëdha të historisë sonë moderne kombëtare. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të të njëjtit komb, të lidhura pazgjidhshmërisht nga një vëllazëri e pandarë. Sot, marrëdhëniet mes dy shteteve tona janë më të forta se kurrë, duke shërbyer si një spirancë stabiliteti, paqeje dhe sigurie në të gjithë rajonin tonë.
Në një kohë kur konteksti gjeopolitik global po bëhet gjithnjë e më kompleks, Kosova nuk përballet thjesht me sfida të konsolidimit ndërkombëtar, por me nevojën jetike për të mbrojtur sigurinë, pacenueshmërinë territoriale dhe sovranitetin e saj shtetëror. Përballë çdo kërcënimi apo tentative për të destabilizuar atë që është arritur me gjak e sakrificë, gjuha dhe përgjigja jonë duhet të jetë e prerë dhe e qartë: sa më shpejt ndërtimi i institucioneve të reja, më shumë punë për forcimin e shtetit ligjor dhe institucione demokratike, më shumë njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe në NATO.
Dua ta ritheksoj dhe ripërsëris sot nga Prishtina se Shqipëria dhe Kosova janë gjysma të të njëjtit trup. Shqipëria është dhe do të jetë mbështetja juaj e palëkundur, e pakushtëzuar dhe e përjetshme. Shqipëria është dhe do të jetë zëri i fuqishëm i Kosovës në çdo tryezë diplomatike dhe arenë ndërkombëtare, duke mbrojtur me çdo çmim paprekshmërinë e kufijve të saj dhe duke kërkuar integrimin e plotë të Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Kosova e sotme është dëshmi e gjallë se liria nuk falet. Ajo fitohet me qëndresë dhe mbrohet me dinjitet, unitet të brendshëm dhe punë të përditshme dhe mbështetet te miqtë dhe partnerët strategjikë.
Këtë trashëgimi të vyer kemi detyrim t’ua përcjellim brezave të rinj, që ata ta ndërtojnë të ardhmen mbi themelet e forta të kësaj historie të lavdishme.
Të dashur vëllezër dhe motra të Kosovës,
në këtë ditë të madhe të krenarisë sonë kombëtare, ju përcjell urimet më të ngrohta të mbarë popullit shqiptar!
Qoftë i përjetshëm dhe i pacenuar kujtimi i dëshmorëve! Lavdi përjetë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, FSK-në dhe institucionet e saj!
Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe miqtë e tij!
Urime 27-vjetori i Çlirimit!


Shtuar 12.06.2026 21:30

grandpashabetcasibomjojobetcasibomcasibomjojobetjojobetgrandpashabetbetpark girişgrandpashabetcasibommatbetmatbetDeneme Bonusu Veren Sitelergrandpashabet kayıp bonusugrandpashabet kayıp bonusugalabetholiganbetgrandpashabetgrandpashabet telegramgrandpashabet girişholiganbetGrandpashabetjojobetjojobetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetjojobetjojobetgrandpashabetcasibomgrandpashabetgrandpashabetmarsbahis girişholiganbetholiganbet