Asgjësohen 338 bimë kanabis në Lezhë

Policia vijon me megaoperacionin “Imazhi”. Në fazën e 31 ka asgjësuar nëpërmjet djegies, në total 338 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në një parcelë toke në fshatin Gjadër, Lezhë.

Gjithashtu, si rezultat i operacionit është identifikuar dhe ndaluar autori i dyshuar i kultivimit të lëndës narkotike.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit operacional me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 31-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar “Imazhi”.

Gjatë kësaj faze, si rezultat i kontrolleve nga toka dhe me dronë, në fshatin Gjadër njësia administrative Dajç, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara 338 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasit R. V., 42 vjeç, banues në fshatin Kukel, Shkodër.

Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 26.07.2023 11:27