Afera e inceneratorëve, Bardhi akuza Gjiknurit: Udhëtoi 15 herë me Mirel Mërtirin, pushime në shtëpinë e tij në Maltë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka akuzuar Damian Gjiknurin për lidhje me aferën e inceneratorëve.

Bardhi tha se Gjiknuri ka udhëtuar dy herë brenda muajit me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin., dhe sipas tij janë 15 udhëtime të Gjiknurit me dy personat e lartpërmendur ndërkohë që i kërkoi të përgjigjet nëse ka shtëpi në Maltë në emër të ndonjë miku të tij.

Gjiknuri i hodhi poshtë këtu akuza duke pranuar se ka udhëtuar vetëm njëherë me ta, dhe e sfidoi Bardhin se në rast se fakton edhe një udhëtim të dytë do të largohet nga detyra, në të kundërt sipas tij, do duhet të largohet Bardhi.

REPLIKAT

Gazment Bardhi: Të gjithë janë gati të hanë kokat e njëri tjetrit për pushtet. Me borxhin e marrë për qytetarët paguhen miliona euro për inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Njerëzit e emëruar prej Ahmetajt votonin për projektin e tyre, Ahmetaj ishte me pushime me Mërtirin. Rol kyç ka pasur edhe Damian Gjiknuri për të grabitur paratë e marra borxh në emër të shqiptarëve. Ka udhëtuar 15 herë me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton kur ishte ministër. Udhëtime me avion, anije, jaht, madje dhe me charter. Kanë planifikuar që borxhin e marrë në emër të shqiptarëve ta çojnë te inceneratorë.

Gjiknuri ka udhëtuar me Zoton dhe Mërtirin dy herë brenda një muaji gjatë javës para miratimit. Para se ta thërrasë SPAK Gjiknuri po të bëj edhe dy pyetje të thjeshta. Sa herë ke bërë pushime në shtëpinë e Mirel Mërtirit në Maltë. Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen e miliarda eurove. Nuk është çudi që paratë që janë borxh të kenë përfunduar në Maltë. Mos ke ndonjë shtëpi në Maltë në emër të dikujt tjetër. Sot po ndalem këtu nuk po pyes në detaje për lejet e dhëna. Sot po mjaftohem duke të thënë që kjo është më e komplikuar se skema e blerjes së zgjedhjeve. Jo tërmet po cunam. SPAK ka mundësinë e artë për të hetuar këto çështje. Duhet vullnet.

Damian Gjiknuri: Keni bërë edhe interpelancë për atë çështje. Në ato kontrata ministria që unë kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Nuk mund të them që ato janë kontrata të gabuara. Për skemën ekonomike që keni bërë kallëzim çojeni deri në fund. Ti Gaz kaq e ke. Edhe në jetë atë udhëtim ke pasur. Maksimumi do qëndrosh në hije dhe do harrohesh. Mos krijo karakterin tënd politik në shpifje. Në një udhëtim ka qenë ne tetor të vitit 2017. Nëse gjen të dytin o iki ti, o iki unë. Nëse kam udhëtuar dy herë iki unë.

Gazment Bardhi: Prisja përgjigje a ke apo jo shtëpi në Maltë. Shtëpi në emrin e ndonjërit prej miqve të tu. I kanë marrë 400 mln euro shqiptarëve këta miqtë e tu. Këtu e ke TIMS

Damian Gjiknuri: E njoh që në shkollë atë

Gazment Bardhi: Shumë mirë që e njeh që në shkollë. Bën mirë të mos flasësh shumë se do të marrin në pyetje dhe bën mirë të gjesh dhe një avokat të mirë.


Shtuar 28.10.2021 13:57