A janë vaksinuar pa radhë politikanët? Përgjigjet Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ftuar në News24, ka folur për procesin e vaksinimit dhe fushatën elektorale.

Ajo është përgjigjur lidhur me pyetjet e shpeshta nga figurat publike por edhe qytetarët lidhur me faktin nëse vaksinimi po përdoret për fushatë.

A po përdoret vaksinimi për fushatë?
Absolutisht jo. Shëndeti i njerëzve është në majën e piramidave për ne, jeta dhe kujdesi për shëndetin është i pari. Ne do vazhdojmë të mbrojmë sa më shumë jetë njerëzish. Ne do të vijojmë me vaksinimin e +60 dhe me vaksinimin e grupmoshave të rriskuara. Këto ditë përmbyllim vaksinimin e policëve. Gjithashtu mësuesit, që tashmë po finalizohen. Kemi përfunduar mjekët, infermierët e punonjësit e sistemit shëndetësor. Do të vijojmë vaksinimin e gazetarëve dhe operatorëve. Do të vijojmë, ndërkohë, brenda fundjavës, edhe me vaksinimin e të gjithë atyre që shërbejnë në hoteleri, pra operatorët turistikë.

Janë vaksinuar pa radhë kandidatët për deputetë?
I gjithë procesi është menaxhuar nga mjeku i familjes. Janë këta të fundit që përcaktojnë radhë te qytetarëve, që duhet të kryejnë vaksinën. Ndaj bëj apel për ata që iu ka ardhur mosha dhe që nuk janë kontaktuar nga mjeku i familjes, që të aplikojnë për vaksinën. Kemi vendosur mjekun e familjes në qendër, sepse ai disponon gjithë të dhënat për qytetarët dhe vlerëson se kush duhet përfshirë i pari.

 


Shtuar 15.04.2021 08:49