Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka ndarë me publikun pamje nga operacioni i shuarjes së zjarrit që përfshiu Fierin ditën e premte, duke treguar angazhimin e forcave zjarrfikëse dhe mjeteve ajrore.
Në një njoftim zyrtar, ai dha detaje mbi pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në pika të ndryshme të vendit, ku po punohet për neutralizimin dhe kontrollin e flakëve.
Të lidhura
None found
Sipas informacionit, në Drizë-Radostinë të bashkisë Fier janë dislokuar 55 trupa ushtarake, të asistuar nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Gjatë operacionit u desh edhe evakuimi i 10 familjeve nga zona.
Në Njësinë Administrative Ungrej, Lezhë, kontingjenti arrin në 80 ushtarakë, të mbështetur nga një helikopter i Forcës Ajrore.
Ndërkohë, në fshatin Qinam të Zall-Herrit u angazhuan pesë mjete zjarrfikëse të ushtrisë dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, vatra e zjarrit atje tashmë është shuar plotësisht.
Në zonën e Dajtit, operacioni vijon me 30 efektivë dhe një helikopter, ndërsa në Mallunxë të Matit forca përbëhet gjithashtu nga 30 trupa dhe një automjet zjarrfikës. Në këtë të fundit, banesat aktualisht nuk janë të kërcënuara.
Ministri theksoi se Forcat e Armatosura qëndrojnë në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur menjëherë çdo nevoje të komuniteteve, kudo që paraqitet rreziku.
