Zubin Potok, policia gjen dhe sekuestron armë e municion në një hambar

Pas njoftimeve të marra nga qytetarët, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një hambar në fshatin Kleçkë të komunës së Zubin Potokut, ku janë zbuluar armë dhe municion.

Operacioni u zhvillua nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, të cilët kishin marrë informacione për praninë e mundshme të armëve dhe mjeteve të tjera ilegale në atë lokacion.

Të lidhura

None found

Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan katër pushkë, mes tyre edhe një armë automatike, si dhe një revole të tipit TT me një karikator të zbrazët. Në vendngjarje u gjetën gjithashtu 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë për armë të gjatë dhe dy karikatorë të zbrazët.

Deri në këtë fazë, policia nuk ka bërë të ditur për ndonjë arrestim. Rasti i është përcjellë Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e qytetarëve dhe u ka bërë thirrje atyre të vazhdojnë të denoncojnë çdo rast të dyshimtë që mund të cenojë sigurinë publike.

Informacionet mund të raportohen në numrin emergjent 192.


Shtuar më 31.10.2026 22:15